Rodrigo Hernández, i njohur si Rodri, ka mbërritur në Barcelonë si një prej afrimeve më të bujshme të skuadrës katalanase. Mesfushori spanjoll, fitues i “Topit të Artë”, do të nisë aventurën e re nën drejtimin e Hansi Flick dhe do të mbajë në shpinë numrin 16.

Zgjedhja nuk është aspak rastësore. Për Rodrin, ky numër ka një domethënie të veçantë dhe është kthyer prej vitesh në një lloj “fati të mirë” për karrierën e tij.

Rodri filloi të përdorte numrin 16 që në moshë të re, kur ishte pjesë e Villarrealit. Që prej asaj kohe, mesfushori spanjoll është përpjekur ta mbajë këtë numër sa herë që ka pasur mundësi.

Karriera e Rodrit është dëshmi e suksesit të tij në klubet ku ka luajtur. Ai u largua nga Villarreal për t’u transferuar te Atlético Madrid, ku për dy sezone mbajti numrin 14.

Në Madrid, nën drejtimin e Diego Simeones, Rodri fitoi Superkupën e Europës në vitin 2018, përpara se të transferohej te Manchester City pas interesimit të Pep Guardiolës.

Ajo që ndodhi më pas në Angli tashmë është histori. Me Manchester Cityn, Rodri fitoi trofe të shumtë, përfshirë Champions League, dhe u shndërrua në një prej mesfushorëve më të mirë në botë.

Në vitin 2024, ai u kurorëzua edhe me Topin e Artë, duke u bërë vetëm lojtari i dytë spanjoll që fiton këtë çmim prestigjioz. Përveç supersticionit personal, numri 16 tashmë është lidhur fort me imazhin e Rodrit.

Për këtë arsye, edhe aspekti komercial luan një rol. Markat dhe tifozët e identifikojnë futbollistin me këtë numër, i cili është bërë pjesë e imazhit të tij ndër vite. Përjashtimi i vetëm ishte periudha te Atlético Madrid, ku ai mbajti numrin 14.

Tashmë, Rodri pritet të rikthehet te numri i tij i preferuar në Barcelonë, me synimin për të vazhduar një histori suksesi që ai beson se ka nisur pikërisht me “16-ën”.

Tifozët e Barcelonës nuk do të duhet të presin gjatë për ta parë fituesin e Topit të Artë me numrin 16 në shpinë në fushën e Camp Nou.

Top Channel