‘Nuk luajta aq sa shpresoja’/ Paul Pogba mbyll aventurën me Monaco pas vetëm një viti

19/08/2026 11:50

Aventura e Paul Pogba në Monaco mbyllet pas vetëm 1 viti. Mesfushori francez që kishte nënshkruar me klubin nga Principata në korrik të 2025, zhvilloi vetëm 6 ndeshje me këtë skuadër. në sezonin e fundit të Ligue 1. Ishte vetë klubi që konfirmoi gjithçka përmes një komunikate të publikuar në faqen e tij të internetit.

Sipas të përditshmes franceze ‘L’Equipe’, futbollisti do të qëndrojë në Montecarlo për t’u kuruar dhe për të vijuar rehabilitimin në mënyrë që të jetë në 100% të formës për sezonin e ardhshëm kur do të jetë i lirë të nënshkruajë me çdo skuadër me parametra zero.

‘Monaco dhe mesfushori i kombëtares franceze bëjnë të ditur mbylljen në mënyrë konsensuale të aventurës që nisi në verën e vitit 2025-theksohet në komunikatën e Monaco-duke marrë parasysh se objektivat e vendosura në fillim u arritën pjesërsisht, Monaco dhe Paul Pogba zgjodhën të zgjidhnin kontratën mes tyre që skadonte në 2027, përpara ndeshjes së parë zyrtare në sezonin e ri. Klubi shpreh të gjithë mirënjohjen kundrejt kampionit të botës të 2018 për besimin dhe profesionalizmin ekstrem që shfaqi gjatë gjithë aventurës në Monaco. Gjatë kësaj eksperience me ngjyrat e Monaco, Paul ka treguar një gjendje shpirtërore të jashtëzakonshme, një vendosmëri dhe kërkesë ndaj vetes në çdo moment. Të gjitha përpjekjet e tij e lejuan të rigjejë kompetitivitetin në nivelet më të larta pas një periudhe të gjatë joaktive duke e ndarë eksperiencan dhe kompetencat e tij me një grup profesionist. Monaco e falenderon thellësisht Paul dhe i uron më të mirën për të ardhmen’

Edhe vetë futbollisti shprehu falenderimin dhe mirënjohjen ndaj Monacos për mundësinë që i dha.

‘Dëshiroj të falenderoj presidentin dhe drejtuesit e klubit, shokët e mi të skuadrës, të gjithë stafin dhe të gjithë tifozët që besuan te unë-theksonte Pogba-përfaqësimi i këtij klubi dhe Principatës ishte një eksperiencë e pabesueshme. Monaco është një klub i shkëlqyer dhe ndonëse nuk zhvillova të gjitha ndeshjet që shpresoja, do të jem gjithnjë mirënjohës për mundësinë që m’u dha të vishja këto ngjyra. Daghe Munegu!’.

Top Channel