“Ligji i burkës” miratohet në Portugali, ndalohet mbulimi i fytyrës në publik

19/08/2026 19:13

Presidenti i Portugalisë, António José Seguro, ka nënshkruar të martën ligjin e njohur si “ligji i burkës”, i cili ndalon njerëzit të mbulojnë fytyrën në hapësirat publike.

Ligji ishte miratuar nga Parlamenti portugez më 17 korrik, me votat pro të partive qeverisëse PSD dhe CDS, si dhe të Nismës Liberale dhe partisë së ekstremit të djathtë Chega, e cila kishte hartuar draftin fillestar.

Teksti fillestar u ndryshua më pas për të shmangur problemet e mundshme të kushtetutshmërisë, veçanërisht ato që lidhen me lirinë fetare.

Në versionin përfundimtar, ndalimi argumentohet kryesisht mbi baza që lidhen me sigurinë dhe rendin publik, dhe jo drejtpërdrejt me fenë.

“Pas ndryshimeve legjislative të paraqitura, Presidenti i Republikës ka vendosur ta shpallë atë”, thuhet në një deklaratë të Presidencës portugeze.

Presidenti Seguro e ka mbështetur vendimin e tij edhe në disa vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), me të cilat, sipas Presidencës, ai ndan bindjen se fytyra është thelbësore për identitetin dhe komunikimin njerëzor, duke përbërë elementin minimal të njohjes së ndërsjellë mes qytetarëve.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se pranimi i një situate ku vetëm gratë do të duhej të mbulonin plotësisht fytyrën do të krijonte një asimetri të papajtueshme me parimin e barazisë dhe dinjitetit të barabartë mes burrave dhe grave.
Këto vlera, sipas Presidencës portugeze, përbëjnë një nga bazat themelore të demokracive evropiane.

Top Channel