Juventus, mbyllet më në fund çështja Arthur, në 6 vjet braziliani i kushtoi 1.5 milionë euro për ndeshje

19/08/2026 00:13

Pas 6 vitesh të komplikuara, Arthur Melo dhe Juventusi po negociojnë zgjidhjen e kontratës. Që nga ardhja e tij në 2020 deri më sot, mesfushori brazilian i ka kushtuar klubit bardhezi më shumë se 100 milionë euro në total duke përfshirë vlerën e kartonit dhe pagat bruto të paguar.

Arthur u transferua te Juventusi nga Barcelona në verën e vitit 2020 për 72 milionë euro(plus 10 milionë euro bonuse të mundshme) në kuadër të operacionit të njohur për shkëmbimin me Miralem Pjanic. Deri tani, kuota e amortizimit e akumuluar në bilanc për brazilianin ka shkuar në 65 milionë euro. Gjatë viteve, Juventusi e ka rinovuar kontratën origjinale(deri në 2027) pikërisht për të shpërndarë kuotën vjetore të amortizimit dhe për të evituar minusvalenca të larta përpara se ta shesin apo të mbyllin bashkëpunimin me të.

Impakti i pagave është zbutur pjesërisht nga dekretet fiskale dhe nga huazimet (Liverpool, Fiorentina e Girona), gjatë të cilave skuadrat që e kanë marrë kanë mbuluar një pjesë të pagës së futbollistit. Në 3 vitet e para në Torino, Arthur përfitonte një pagë maksimale fillestare rreth 12 milionë euro bruto në sezon. Më pas ai pranoi rimodulimin për të favorizuar huazimet duke reduktuar peshën mbi arkat e Juventusit. Kostoja totale e pagave bruto që mbetën në ngarkim të klubit torinez nga 2020 e deri më sot është rreth 32-35 milionë euro. Duke marrë parasysh që mesfushori ka zhvilluar vetëm 63 ndeshje në total me fanellën e Juventusit, investimi përkthehet në një shpenzim rekord prej 1.5 milionë euro për ndeshje. Pikërisht për shkak të kësaj peshe ekonomike, drejtuesit bardhezinj po finalizojnë çështjen e zgjidhjes së kontratës së futbollistit për të lehtësuar zërin e shpenzimeve për paga në bilanc.

Top Channel