Kriza politike në Ukrainë/ Dikur aleat me Zelenskyn, sot e sfidon, ish-Ministri i Mbrojtjes: Duhen zgjedhje, edhe në mes të luftës
Ish-kampioni britanik i sprintit dhe fituesi i medaljes së artë në Lojërat e Komonuelthit, Leon Baptiste, ndodhet në burg në Marok pasi është shpallur fajtor për sulm seksual ndaj një të miture.
41-vjeçari ishte raportuar më parë i zhdukur, pasi kishte udhëtuar në Marok rreth dy muaj më parë dhe kishte ndërprerë komunikimin me kontaktet e tij në Britani. Megjithatë, autoritetet marokene kanë sqaruar se Baptiste nuk ka qenë i zhdukur, por ishte arrestuar dhe dënuar në vend.
Sipas një burimi të Ministrisë së Drejtësisë së Marokut, të cituar nga BBC, Baptiste u arrestua në Marrakesh në muajin maj. Ai u shpall fajtor dhe aktualisht po vuan dënimin në burgun Al-Oudaya.
Zyra e Prokurorit Publik të Marokut konfirmoi për BBC-në si dënimin, ashtu edhe veprën penale për të cilën ish-atleti u shpall fajtor. Një zëdhënës deklaroi se një shtetas britanik po vuan dënimin me burg në Marrakesh pas një vendimi gjykate.
Baptiste punonte si trajner konsulent i sprintit për ekipin kombëtar britanik të atletikës dhe po përgatiste disa prej atletëve më të mirë për Lojërat e ardhshme të Komonuelthit.
Sipas BBC-së, në maj ai u kishte thënë disa prej atletëve që stërviste se do të mungonte “për një kohë”, pa dhënë detaje të tjera. Që prej asaj kohe, sportistët nuk kishin marrë informacione të rëndësishme për arsyen e mungesës së tij.
Të martën, Baptiste u dërgoi atletëve një email të shkurtër, ku njoftonte dorëheqjen nga detyra. Vendimi u shpjegua me probleme shëndetësore të paspecifikuara.
Vetëm më pas u bë e ditur se ai ndodhej në burg në Marok.
Ministria e Drejtësisë marokene e cilësoi si “të pasaktë” informacionin se Baptiste ishte i zhdukur, duke theksuar se nuk kishte pasur “zhdukje ose mungesë të pashpjegueshme”.
Sipas autoriteteve, 41-vjeçari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vuan dënimin në një burg në Marrakesh.
Baptiste kishte udhëtuar në Marok së bashku me tre ish-atletë të tjerë britanikë, të cilët tashmë janë kthyer në Britani. Familja e tij është në dijeni se ai ndodhet në burg.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme britanike ka konfirmuar se është në kontakt me autoritetet marokene.
“Ne po i ofrojmë mbështetje një shtetasi britanik të ndaluar në Marok dhe jemi në kontakt me autoritetet”, deklaroi një zëdhënës.
Leon Baptiste ka pasur një karrierë të suksesshme si atlet. Ai fitoi medaljen e artë në garën e 200 metrave në Lojërat e Commonwealth-it në vitin 2010 dhe ka fituar gjithsej dy medalje në këtë kompeticion.
Pas përfundimit të karrierës si sportist, Baptiste iu përkushtua trajningut dhe në vitin 2023 u shpall Trajneri Britanik i vitit në Atletikë.
Largimi i tij i papritur ka lënë pa trajner disa sprinterë të njohur britanikë, mes tyre fituesin e medaljes së bronztë olimpike Charlie Dobson dhe fituesin e medaljes së argjendtë paralimpike Jacques Shaw.
Sipas raportimeve, trajneri i stafetës Martin Rooney dhe kampioni evropian Adam Gemili kanë marrë përsipër të ndihmojnë atletët që mbetën pa trajnerin e tyre.
Top Channel