Avioni privat pëson defekt, piloti realizon ulje spektakolare në Ohio

19/08/2026 17:58

Një pilot i një avioni privat realizoi një ulje dramatike emergjente të martën pasdite, më 18 gusht, në aeroportin Akron-Canton të Ohios, pasi ingranazhi i rrotës së avionit u bllokua dhe u bë i papërdorshëm.

Avioni, një Cessna Citation i kompanisë NetJets, ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Washington Dulles kur u shfaq problemi me ingranazhin e përparmë të uljes.

Pamjet e regjistruara në aeroport tregojnë momentin dramatik kur rrotat e pasme të avionit prekin pistën, ndërsa piloti arrin të mbajë hundën e avionit të ngritur, duke shmangur kontaktin e saj me pistën dhe një aksident të mundshëm.


Sipas zjarrfikësve dhe dëshmitarëve okularë, piloti fillimisht qarkulloi disa herë mbi aeroport, ndërsa përpiqej të zgjidhte problemin dhe të ulte ingranazhin e rrotës.

Një pilot me përvojë, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes dhe e regjistroi incidentin, tha se piloti ndoqi procedurat e emergjencës.

“Bëri gjithçka që ishte e mundur. Siç mund ta shihni në video, ai bëri një punë të shkëlqyer”, tha ai.

Pas uljes, avioni u ndal në mënyrë të sigurt në pistë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën automjetet e zjarrfikësve dhe ekipet e emergjencës së aeroportit.

Incidenti përfundoi pa pasoja të rënda, ndërsa mënyra se si piloti realizoi uljen shmangu një situatë potencialisht shumë më të rrezikshme.

Top Channel