Largimi i Ferran Torres drejt PSG-së ka shkaktuar një efekt domino te numrat e fanellave të Barcelonës, me Fermín López dhe Rodri Hernández që pritet të jenë dy përfituesit kryesorë.

Ferran, i cili ka mbajtur fanellën me numrin 7 te Barcelona gjatë tri sezoneve të fundit, ia kishte trashëguar këtë numër Ousmane Dembélés. Pas largimit të tij, “7”-a tashmë ka një pronar të ri.

Fermín López është zyrtarisht numri 7 i Barcelonës. Futbollisti nga El Campillo nuk e kishte mbajtur më parë këtë numër në asnjë prej etapave të karrierës së tij te Barcelona. As gjatë periudhës së tij te Linares Deportivo dhe as me kombëtaren spanjolle nuk kishte luajtur me “7”-ën.

Por ndryshimi më interesant lidhet me numrin që Fermín ka lënë pas. Fanella me numrin 16, tashmë e lirë pas ndryshimit të Fermín, është numri i preferuar i Rodri Hernándezit.

Mesfushori spanjoll e ka mbajtur këtë numër te Villarreal dhe, më pas, gjatë të gjitha tetë sezoneve të tij te Manchester City. “16”-a është gjithashtu i vetmi numër që Rodri ka mbajtur me kombëtaren e parë të Spanjës.

Me këtë fanellë, Rodri ka fituar disa prej trofeve më të rëndësishëm në karrierën e tij, mes tyre katër tituj të Premier League, Champions League, Kampionatin Europian, Kupën e Botës për Klube dhe Topin e Artë.

Nëse transferimi i tij te Barcelona finalizohet dhe numrat konfirmohen, Rodri pritet të vazhdojë të mbajë numrin që ka shoqëruar pjesën më të madhe të karrierës së tij. “16”-a ka një domethënie të veçantë edhe për një tjetër legjendë të Barcelonës, Sergio Busquets.

Ish-mesfushori katalanas e ka mbajtur këtë numër për gjashtë sezone me Barcelonën. Ashtu si Rodri, edhe Busquets ka luajtur në një rol të ngjashëm në mesfushë dhe me “16”-ën në shpinë ka fituar me Spanjën Kupën e Botës dhe Kampionatin Europian.

Kështu, nëse Rodri zgjedh zyrtarisht “16”-ën, një numër me histori të veçantë në futbollin spanjoll mund të rikthehet në qendër të vëmendjes në “Camp Nou”.

Top Channel