Joao Cancelo e bën realitet ëndrrën e tij. Futbollisti portugez, ditën e diel zgjidhi kontratën me Al Hilal dhe transferohet te Barcelona si futbollist i lirë. Këtë të hënë rreth orës 14:00, Cancelo mbërriti në Barcelonë për të nënshkruar kontratën e tij me kampionët e Spanjës deri në qershor të vitit 2029.

Pas dy etapave të ndryshme në formë huazimi, më në fund Joao Cancelo do të jetë futbollist i Barcelonës me të drejta të plota. Përpara se të mbërrinte në Barcelonë, vetë futbollisti në rrjetet sociale publikoi një foto të tij brenda një avioni të shoqëruar me frazën: ‘Duke u kthyer në shtëpi’

Duke marrë parasysh faktin se Joao Cancelo ishte te Barcelona edhe sezonin e kaluar dhe që tashmë njihet, klubi blaugrana nuk do të organizojë ceremoninë e prezantimit zyrtat të tij. Në momentin që zbriti në aeroport, Joao Cancelo tha për mediat se është shumë i kënaqur për këtë lëvizje.

‘Jam shumë i kënaqur, shumë i lumtur që jam këtu. Jam aty ku dëshiroj të jem-tha Cancelo-po stërvitesha i veçuar për një javë, Decos i thashë se ose do të vija këtu, ose do të qëndroja atje 1 vit pa luajtur duke marrë pagën. Hoqa dorë nga një pjesë e pagës sime, ose do të transferohesha te Barcelona, ose nuk do të ndodhte asgjë. Është një klub shumë special, jam këtu për të dhënë ndihmën time dhe shpresoj të fitoj shumë tituj. Po bëjmë një skuadër të fortë’.

Top Channel