Gennaro Gattuso bën një debutim katastrofik si trajner i Lazios. Skuadra romane u mposht në Olimpico nga Mantova me rezultatin 2-0 duke u eliminuar nga Kupa e Italisë për të regjistruar në këtë mënyrë edhe surprizën e parë të këtij kompeticioni.

Bardhekaltrit e nisën në sulm ndeshjen dhe menjëherë goditën shtyllën me Dele-Bashiru, më pas Dia u ndal Bardi. Por me kalimin e minutave Mantova fiton kurajo dhe e vendosur mirë taktikisht, filloi të bëhej e rrezikshme me Gliozzi duke impenjuar Mandas në fundin e pjesës së parë e cila u mbyll me barazimin 0-0.

Në pjesën e dytë u pa sërish një ndeshje e bllokuar taktikisht dhe një Lazio që shpërdoroi me Cancellierin ndërkohë që shpesh gabonte në pasimin e fundit. Në minutën e 70 u aktivizua edhe blerja e re Frattesi për të ndryshuar gjërat në fushë, por Mantova bëri surprizën teksa në minutën e 75 shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen laziale dhe shënoi me Ruoccon pas një krosimi të Bragantinit. Gattuso më pas hodhi në fushën e lojës Ratkov dhe Noslin, por futbollistët e tij edhe pse u hodhën në sulm nuk mundën dot të gjejnë golin dhe në minutën e 96 Lazio mori edhe goditjen përfundimtare pasi Caiazzo shënoi golin e dytë për Mantovan që e fitoi këtë ndeshje 2-0 duke u kualifikuar për në raundin tjetër të Kupës së Italisë ku do të përballet me fituesin e sfidës Palermo-Lecce.

Top Channel