Shtatë ditë, shtatë poema dhe shtatë zëra në skenë për të rrëfyer jo vetëm krijimin e botës, por mbi të gjitha ndryshimin e saj.
“7 ditët e krijimit”, vepra e Met Dervishit, u shfaq mbrëmjen e kaluar në Muzeun arkeologjik të Durrësit, duke sjellë në vëmendje të publikut njeriun, ekspozimin e tij ndaj ndryshimeve të forta dhe botën ku jetojmë.
E ndërtuar mbi simbolikën e 7 ditëve të krijimit, vepra nis nga zanafilla e botës, nisja e mëkatit, për të ardhur deri te realiteti i sotëm, përmes zbulesave të autorit.
Aktorët Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Olta Daku, Neritan Licaj, Mimoza Marjanaku, Alesia Xhemalaj, Xhuliano Brisku dhe Igli Zarka, si këngëtar, i dhanë jetë poemave dhe muzikës së përzgjedhur nga Metila Dervishi e Kristi Bello, duke krijuar rrëfimin skenik.
Zgjedhja e Muzeut arkeologjik si hapësirë për shfaqjen i dha një tjetër kuptim mbrëmjes. Përballë gjurmëve të qytetërimeve të lashta, vepra solli një reflektim mbi botën e sotme dhe ndryshimet që po përcaktojnë jetën e njeriut.
Regjia e Driada Dervishit, bijë e autorit, i dha formë skenike tekstit poetik, duke bashkuar 7 poemat dhe aktorët në një rrëfim të vetëm.
“7 ditët e krijimit” u mbyll në Durrës si një vepër që bashkoi poemën, teatrin dhe reflektimin mbi kohën ku jetojmë, duke vendosur në qendër njeriun dhe vlerat që rrezikojnë të mbeten pas në emër të modernizmit dhe interesit.
Top Channel