“Janë djegur rreth 20 hektarë”/ Zjarri në 4 fshatra në juglindje të Tiranës, inspektori i APR: Shumica janë pyje, ka dëme edhe në ullishte e vreshta Zjarri që përfshiu zonat e Priskës së Madhe, Gurrës, Lundrës dhe Farkës ka shkaktuar shqetësim te banorët, ndërsa flakët janë përhapur në disa drejtime.
Për gazetaren e Top Channel, Rudina Muça, një prej banorëve të zonës, Ramazan Çullhaj, tregon se si e ka parë situatën dhe çfarë ka ndodhur që prej momentit kur zjarri u shfaq në Priskë.
Çullhaj thotë se ka mbërritur në zonë pasi zjarri nisi, pasi familjarët e tij kanë një sipërfaqe toke me ullinj në këtë zonë. Sipas tij, flakët kanë nisur në një zonë pyjore në Priskë dhe më pas janë favorizuar nga era, duke u përhapur drejt zonave të tjera. Banori mohon gjithashtu informacionet për bagëti të ngordhura, duke thënë se bëhet fjalë për zëra që nuk janë konfirmuar.
“Rreth orës 4 të mëngjesit ka nisur zjarri. Unë shtëpinë e kam në Daias, por erdha këtu sepse dhëndri im ka pronën e tij, rreth 4 dynym tokë me ullinj. Fatmirësisht, zjarri nuk ka ardhur afër, kemi ardhur vetëm për ta parë. Dhëndri ka ardhur që në momentin që nisi zjarri në mëngjes.
Ka qenë gjithë kohës edhe zjarrfikësja dhe policia. Zjarri ka nisur në një pyll në Priskë, era e solli këtej. Ajo zonë është lagje e Priskës, e braktisur, është vetëm një stallë. Nuk di të kenë ngordhur bagëti, besoj se janë vetëm fjalë”, shprehet banori.
Top Channel