“Në një periudhë dhimbjeje ai tregoi përkushtim për shokët dhe klubin”, Casemiro: Messi është një shembull, nuk kam parë kurrë diçka të tillë

13/08/2026 09:37

Casemiro ka vlerësuar maksimalisht Lionel Messin për vendimin për t’u rikthyer në dispozicion të Inter Miamit vetëm pak ditë pas humbjes së babait të tij, Jorge Messi.

Mesfushori brazilian, i cili iu bashkua së fundmi Inter Miamit, e cilësoi kapitenin argjentinas një “shembull” për mënyrën se si u vu në dispozicion të skuadrës për sfidën ndaj Leónit në Leagues Cup, pavarësisht dhimbjes së madhe personale që po përjeton.

“Është një shembull. Jam i sigurt se po kalon një periudhë shumë të keqe, por ai tregoi një përkushtim jo vetëm ndaj lojtarëve, por edhe ndaj klubit, dhe kjo ishte e pabesueshme. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në jetën time. E vetmja gjë që mund të bëjmë është ta falënderojmë që është këtu”, deklaroi Casemiro pas ndeshjes.

Braziliani theksoi se pikërisht kjo është një nga arsyet që Messi është kaq i madh dhe një prej futbollistëve më të mirë në historinë e këtij sporti.

“Kjo është një nga arsyet pse ai është kaq i madh. Ai është një nga më të mirët në histori, nëse jo më i miri”, shtoi Casemiro.

Messi u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Leónit, vetëm pak ditë pasi ishte larguar drejt Argjentinës së bashku me familjen pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi, në moshën 68-vjeçare.

Megjithatë, rikthimi i yllit argjentinas nuk mjaftoi për Inter Miamin. Skuadra amerikane u mposht 2-3 dhe u eliminua nga Leagues Cup, duke e mbyllur turneun me një fitore dhe dy humbje.

“Është e vështirë, sidomos kur humbet, por e dimë se duhet të vazhdojmë të rritemi. Ishte një kompeticion që kisha shumë dëshirë ta fitoja”, u shpreh Casemiro.

Mesfushori pranoi gjithashtu se eliminimi i ka lënë të gjithë të zhgënjyer: “Na ka goditur.”

Pas eliminimit nga Leagues Cup, Inter Miamit i mbetet tashmë vetëm MLS Cup si objektivi kryesor për të fituar një trofe këtë sezon. Skuadra e drejtuar nga Javier Mascherano ishte eliminuar më herët edhe nga Liga e Kampionëve të CONCACAF, ndërsa në MLS aktualisht renditet e dyta në Konferencën e Lindjes.

Casemiro, i cili iu bashkua Inter Miamit për të ndihmuar ekipin në përpjekjen për të fituar trofe, theksoi se përgjegjësia për rezultatet nuk bie vetëm mbi repartin defensiv.

“Në futboll, të gjithë sulmojnë dhe të gjithë mbrojnë”, tha braziliani, duke iu referuar edhe shtatë golave të pësuar nga Inter Miami në tre ndeshjet e Leagues Cup.

Në fund, Casemiro nënvizoi se që në momentin e mbërritjes në klub e kishte kuptuar qartë se objektivi i Inter Miamit është vetëm një: fitoret dhe trofetë.

Top Channel