Sulmi ukrainas në Novorossiysk, goditen terminalet ruse të eksportit të grurit
Kryebashkiaku i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka njoftuar largimin nga Partia Republikane Popullore (CHP), pas 17 vitesh anëtarësi, dhe bashkimin me partinë e re të krijuar nga figura të shkëputura të opozitës turke.
Imamoglu e bëri njoftimin përmes një deklarate në rrjetin social X, ku tha se vendimi lidhet me bindjet e tij për të ardhmen e Turqisë dhe përgjegjësinë që mban ndaj qytetarëve. “Sot po hapim një rrugë të re për të ndërtuar një të ardhme më të fortë, më demokratike dhe më shpresëdhënëse për Turqinë”, shkroi ai.
Vendimi vjen pas një zhvillimi gjyqësor që preku drejtimin e CHP-së. Muajin e kaluar, lideri i opozitës turke, Özgür Özel, së bashku me 90 deputetë të shkëputur, themeluan një parti të re politike, me synimin për t’u riorganizuar përballë presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Ekrem Imamoglu, një nga rivalët kryesorë politikë të Erdoganit, ndodhet në burg prej më shumë se një viti, në pritje të gjyqit për akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon.
Ai ishte zgjedhur kandidat presidencial i CHP-së disa ditë pas arrestimit të tij në mars 2025. Një ditë para arrestimit, Universiteti i Stambollit i revokoi diplomën, e cila është një nga kushtet për kandidimin për president.
Partia e re është tashmë forca e dytë më e madhe në parlamentin turk. Largimi i Imamoglut pritet të ndikojë te mbështetja e opozitës, ndërsa ndarja e saj në disa forca politike mund të ndikojë në garën e ardhshme kundër Erdoganit.
Zgjedhjet e ardhshme në Turqi janë planifikuar për vitin 2028, por mund të zhvillohen edhe më herët.
Opozita dhe disa organizata të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar goditjen ndaj figurave të CHP-së si të motivuar politikisht. Qeveria turke i ka mohuar këto akuza dhe ka deklaruar se gjyqësori është i pavarur.
Top Channel