Davide Frattesi mund të largohet vërtet nga Interi. Pas zërave të vazhdueshme që e shihnin mesfushorin larg skuadrës zikaltër, tani rezulton se është një klub italian që e ka marrë seriozisht blerjen e tij.

Bëhet fjalë për Lazion që ka arritur tashmë një akord bazë me kampionët e Italisë. Bardhekaltrit janë gati të marrin 27 vjeçarin me huazim me të drejtë blerjeje që mund të kthehet në detyrim nëse plotësohen disa kushte të caktuar. Pa harruar këtu dhe përqindjen e lartë të të ardhurave nga një rishitje e mundshme e futbollistit në një të ardhme. Operacioni po vijon me intensitet me të dy klubet që po përcaktojnë shifrat e tij

Edhe vetë Frattesi, që u kërkua me ngulm nga Gattuso, e ka pranuar këtë kalim te skuadra romane duke e lënë vendin e tij bosh, që pritet ta plotësojë Curtis Jones që prej kohësh është vënë në ndjekje të tij. Bisedimet me Liverpool nuk kanë rreshtur kurrë dhe tani klubi zikaltër mund të përshpejtojë hapat në ofensivën për mesfushorin anglez që vlerësohet jo më pak se 35 milionë euro.

Duke u kthyer te largimet, bie në sy emri i Luis Henrique që i është ofruar Romës e cila nuk e ka mbyllur derën e saj. Profili i brazilianit që u transferua në Milano nga Marseille vitin e kaluar, është vlerësuar me kujdes nga verdhekuqtë që po kërkojnë të përforcohen në krahë. Por është e  vështirë të mendohet se drejtuesit e Romës do të ofrojnë shifrën e kërkuar nga Interi prej 30 milionë eurosh. Por në këtë rast duhen bërë llogëritë edhe me vullnetin e vetë futbollistit që ende nuk është i bindur të largohet nga Milano.

Top Channel