Tërmeti shkatërrues në Kolumbi/ Mbijetoi 36 orë nën rrënoja, shpëtohet e gjallë 32-vjeçarja
Zhu Rongji, ish-kryeministri kinez dhe një nga figurat kryesore të transformimit ekonomik të vendit, ka vdekur në moshën 97-vjeçare.
Zhu vdiq të mërkurën në mëngjes në Pekin pas një sëmundjeje, njoftoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua. Ai shërbeu si kryeministër i Kinës nga viti 1998 deri në vitin 2003.
I cilësuar si “cari ekonomik”, Zhu luajti një rol të rëndësishëm në hapjen e ekonomisë kineze ndaj tregjeve ndërkombëtare dhe në zbatimin e reformave që ndryshuan ekonominë e vendit.
Gjatë periudhës së tij në krye të qeverisë, Kina ndërmori reforma të thella në sistemin fiskal, sektorin shtetëror dhe financat. Ai njihej për qëndrimin e ashpër ndaj korrupsionit, pragmatizmin dhe stilin e drejtpërdrejtë.
Një nga arritjet më të rëndësishme të Zhu ishte anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001. Ky hap konsiderohet një moment kyç në integrimin e Kinës në ekonominë globale dhe i dha një shtysë të madhe tregtisë dhe investimeve të huaja.
Reformat e tij, megjithatë, patën edhe një kosto të lartë sociale. Riorganizimi i ndërmarrjeve shtetërore çoi në humbjen e rreth 40 milionë vendeve të punës, duke shkaktuar kritika të forta brenda vendit.
Zhu e nisi karrierën si inxhinier dhe ekonomist, ndërsa më vonë u bë kryetar i bashkisë së Shangait. Puna e tij në këtë qytet tërhoqi vëmendjen e udhëheqësit kinez Deng Xiaoping, përpara se të emërohej zëvendëskryeministër në vitin 1991 dhe kryeministër në vitin 1998.
Ai u përball edhe me periudha të vështira politike. Gjatë epokës së Mao Ce Dunit u përjashtua nga Partia Komuniste dhe u spastrua politikisht gjatë Revolucionit Kulturor. Pas vdekjes së Maos, Zhu u rehabilitua dhe iu rikthye karrierës politike.
Vdekja e tij shënon largimin e një prej figurave më të rëndësishme të periudhës së reformave që ndihmuan në shndërrimin e Kinës në një prej fuqive kryesore ekonomike të botës.
Top Channel