“Adopto një film” është nismë e Arkivit Qendror të Filmit, përmes së cilës po restaurohen prodhimet kinematografike më të dashura të ish-Kinostudios.
Ky projekt, që u prezantua mbi tre muaj më parë, është një ftesë për restaurimin e kujtimeve nga ata që janë të lidhur me këto vepra filmike. Dhjetëra familjarë, artistë dhe dashamirës të kinemasë shqiptare kanë adoptuar filma të animuar dhe filma artistikë.
“Për shembull, ‘Mimoza Llastica’ është restauruar nga njëra nga aktoret që luan në film. Personalitete të ndryshme kanë marrë përsipër filma që lidhen me fëmijërinë e tyre. Çdokush që ka në mendje për të restauruar një film që lidhet me kujtimet personale ose që do të shpëtojë një film, është i lutur të na shkruajë në rrjetet tona sociale”, tha Eljan Tanini.
“Shoku ynë Tili”, “Kau dhe ujku”, “Mimoza Llastica”, “Guximtarët”, “Në shtëpinë tonë”, janë disa nga filmat e rijetëzuar. Ndërkohë, vetë Arkivi ka nisur punën për restaurimin e një prej filmave më ikonikë të Shqipërisë Kinematografike, “Dimri i fundit”.
Sipas drejtorit të Arkivit të Filmit, më shumë se gjysma e filmave që ruhen në këtë institucion kanë nevojë për restaurim që të shpëtohen dhe për këtë nevojitet infrastrukturë e shtuar në Arkiv.
“Dimri i Fundit i restaurohet nga punonjësit e filmit. Kemi nevojë për më shumë punonjës, të marrim disa persona dhe pajisje specifike, por gjithsesi po ia dalim për të rijetëzuar një nga filmat më ikonikë shqiptarë, për të çuar deri në fund amanetin e dy regjisorëve, Muçaj dhe Mitro. Fakti që është xhiruar në borë e bën më të vështirë restaurimin. E mira do të ishte në të ardhmen që filmat të restaurohen në Arkivin e Filmit. Do të sillte të ardhura shtesë, por mund të shndërrohet dhe në qendër për rajonin”, tha Eljan Tanini.
“Adopto një film” synon të ruajë dhe trashëgojë pasurinë tonë audiovizive, pasi çdo film i restauruar është një pjesë e historisë sonë që rikthehet për të jetuar sërish.
Top Channel