Arsenal ka vendosur të dëgjojë ofertat për Myles Lewis-Skelly, me mbrojtësin e talentuar anglez që i është ofruar Manchester United si një alternativë për krahun e majtë të mbrojtjes. Edhe Chelsea është vënë në dijeni për disponueshmërinë e 19-vjeçarit.

Vendimi i Arsenalit lidhet edhe me lëvizjet e klubit në këtë merkato.

“Topçinjtë” kanë shpenzuar rreth 75 milionë paund për Bruno Guimaraes, i transferuar nga Newcastle, dhe synojnë të rikuperojnë një pjesë të shumës përmes shitjes së disa lojtarëve.

Lewis-Skelly pati një rol të rëndësishëm në sezonin e kaluar dhe ishte pjesë e skuadrës së Arsenalit që fitoi titullin e Premier League nën drejtimin e Mikel Artetës. Megjithatë, 19-vjeçari nuk ishte titullar i rregullt, duke regjistruar vetëm pesë ndeshje si titullar në kampionat dhe 36 paraqitje në të gjitha kompeticionet gjatë sezonit 2025-26.

Mbrojtësi nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me Arsenalin verën e kaluar, ndërsa vlera e tij në merkato besohet të jetë rreth 45 milionë paund.

Manchester United po e shqyrton situatën, pasi krahu i majtë i mbrojtjes mbetet një repart ku klubi kërkon përforcime.

Megjithatë, objektivi kryesor i “Djajve të Kuq” vazhdon të jetë Lewis Hall i Newcastle. Klubi nga “St James’ Park” nuk dëshiron ta humbasë edhe mbrojtësin 21-vjeçar, pasi gjatë kësaj vere ka larguar tashmë disa prej lojtarëve kryesorë.

Newcastle ka humbur Bruno Guimaraes, i cili kaloi te Arsenal, Sandro Tonali, që iu bashkua Tottenhamit, si dhe Anthony Gordon, i transferuar te Barcelona.

Një tjetër alternativë që Manchester United mund të marrë në konsideratë është mbrojtësi i RB Leipzig, David Raum, 28 vjeç.

Edhe Chelsea është informuar për mundësinë e transferimit të Lewis-Skelly, por ende nuk dihet nëse klubi londinez do të bëjë një ofertë konkrete.

“Blutë” kanë pasur një merkato tepër aktive këtë verë, duke shpenzuar më shumë se 300 milionë paund për përforcime.

Chelsea ka afruar Maxence Lacroix dhe Marco Palestra për të përforcuar repartin e mbrojtjes, ndërsa Morgan Rogers është bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit, me një transferim që raportohet në vlerën e 117 milionë paund.

Megjithatë, largimi i Marc Cucurellas drejt Real Madridit për rreth 52 milionë paund ka krijuar një boshllëk në krahun e majtë. Në këtë pozicion, Chelsea ka aktualisht 20-vjeçarin Jorrel Hato, i cili ishte pjesë e përfaqësueses së Holandës në Kupën e Botës.

Top Channel