Rikthehet MSN-ja e famshme? Felipe Melo jep lajmin e bujshëm: Neymar do të shkojë në Miami në janar.

11/08/2026 14:20

David Beckham po kërkon të formojë sërisht të famshmen dhe të frikshmen MSN e futbollit teksa po mendon të sjellë te Inter Miami brazilianin Neymar për ta bashkuar edhe njëherë me Lionel Messin dhe Luis Suarez.

Është ish mesfushori brazilian, Felipe Melo që foli për një mundësit të tillë teksa deklaroi se Neymar do të transferohet te skuadra nga Florida kur të mbyllë kontratën me Santosin

‘Kam folur me një mikun tim që më ka dhënë lajme për Santosin edhe më parë-tha Felipe Melo në Youtube-ai më tha se Neymar do të luajë në Miami. Në janar, Neymar do të shkojë në Miami. Nëse kjo do të ndodhë, unë jam i pari që e kam bërë të ditur këtë lajm. Të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë’

E ardhmja e Neymar është një prej temave të diskutimit në botën e futbollit me sulmuesin që ka me Santosin një kontratë që i skadon në 31 dhjetor të këtij viti. Emri i 34 vjeçarit u lidh edhe me atë të Galatasaray, por deklaratat e Melos kanë bërë që të shpërndahen zërat se Inter Miami mund të jetë destinacioni i ardhshëm i Neymar. Dhe nëse David Beckham do t’ia dalë mbanë që të realizojë këtë transferime, atëherë do të formohet sërish e e famshmja MSN që në kohët e Barcelonës terrorizoi të gjithë Evropën e futbollit.

Në periudhën 2014-2017, Messi, Suarez dhe Neymar formuan një prej tresheve më të frikshme sulmuese në historinë e futbollit. Të tre së bashku fituan 9 trofe me Barcelonën duke përfshirë një Ligë Kampionesh, 2 tituj të La Liga e 1 Botëror Klubesh. Në sezonin e tyre të parë së bashku nën drejtimin e Luis Enrique fituan tripletën e trofeve  me Messin, Suarez dhe Neymar që në total shënuan 122 gola në të gjitha kompeticionet me argjentinasin që ishte në krye me 58 gola, braziliani 39 dhe Suarez me 25 gola duke krijuar sulmin më të frikshëm me të cilët Barcelona asfaltonte të gjithë kundërshtarët që i dilnin përpara.

Tani Inter Miami i David Beckham mund t’i bashkojë ata si për herë të fundit. Messi dhe Suarez janë tashmë pjesë e skuadrës nga Florida dhe tani pritet të shohim nëse do të vijë vërtet edhe Neymar. Nëse kjo do të ndodhë, Inter Miami përveçse do të krijojë një sulm vrasës në fushën e lojës, por do të sigurojë përfitime të mëdha edhe nga marketingu. Pikëpyetja e madhe në këtë pikë lidhet me brazilianin; a do të jetë në gjendje Neymar që të shfaqet sërish në nivelet më të larta duke parë se në vitet e fundit karriera e tij u karakterizua nga dëmtime të njëpasnjëshme. Gjithsesi, për momentin nuk ka një marrëveshje mes Neymar dhe Inter Miamit dhe sulmuesi ende nuk ka marrë një vendim se çfarë do të bëjë në vitet e fundit të karrierës së tij. Por me Messin dhe Suarez që janë tashmë bashke dhe me Neymar që mund të jetë futbollist i lirë, ëndrra për të parë sërish MSN së bashku, nuk është më e pamundur.

Top Channel