Tashmë dihet botërisht që raportet mes Jose Mourinhos dhe kapitenit të Realit të Madridit, Iker Casillas në etapën e parë të luzitanit te klubi merenges, nuk ishin të mira. Por deri në momentin e transmetimit të dokumentarit të trajnerit portugez në Netflix detajet dhe prapaskenat e atyre tensioneve nuk diheshin.

Jose Mourinho pohoi se në momentin kur u transferua në kryeqytetin spanjoll gjeti një superskuadër ku ishte Casillas, kapiteni dhe lojtari më i mirë. E megjithatë diçka nuk shkonte siç duhej.

‘Mentalisht nuk ishte mirë-tha Mourinho duke treguar për 3 biseda që kishte bërë me të-në fillim erdhi dhe më tha: ‘erdha për të kërkuar më shumë pushime për lojtarët e kombëtares’, në bisedën e tyrë më kërkoi që të shtyja orarin e stërvitjes me një orë sepse në orën që unë dëshiroja  të nisa stërvitjen kishte shumë trafik në Madrit. Në bisedën e tretë më tha se nuk donin të shkonin në hotel dhe se ditën e ndeshjes preferonin të shkonin direkt në stadium. Këtu kuptova se ishin të përkëdhelur’.

Një prej momenteve që shkaktoi një frakturë në raportet mes trajnerit Mourinho dhe kapitenit të Los Blancos, ishte telefonata që Casillas i bëri Xavi Hernandez për të ulur tensionet mes futbollistëve të Realit të Madridit dhe Barcelonës duke evituar kështu përçarjen totale në kombëtaren spanjolle. Mourinho ishte i qartë. 

‘Ky është Real Madrid-Barcelona-tha luzitani-kur të shkoni në kombëtare edhe mund të putheni, por tani jo. Kjo është luftë. Ka gjëra që nuk i pranoj dhe nuk do t’i pranoj kurrë. Kur dikush nuk më respekton kthehet në një problem’.

Vetë Casillas foli dhe shpjegoi arsyet se përse e bëri atë telefonatë.

‘Ajo situatë ishte e komplikuar sepse ti je kapiteni i Realit të Madridit dhe i kombëtares spanjolle-tregon Casillas-përballesh me lojtarë që ishin armiqtë e tu në fushen e lojës, por më pas ishin shokët e tu në kombëtare. Mua nuk më pëlqente të shihja këtë dhe ia thashë edhe trajnerit’

Sami Khedira, që është pjesë e stafit teknik të Mourinhos në etapën aktuale të Los Blancos, tregoi sesi ishte konflikti mes trajnerit dhe Casillas.

‘Iker ishte një legjendë e Realit të Madridit, i dashur nga të gjithë tifozët. E uli në stol dhe nuk i fliste, fliste keq për të në media-tregon Khedira-dhoma e zhveshjes u shndërrua në një ferr. Pas kësaj u prishën raportet mes Jose dhe shumë lojtarëve si Cristiano Ronaldo dhe futbollistëve spanjollë. Dhe ata lojtarë ishin shumë të rëndësishëm për ambientin e skuadrës që u helmua’

Më pas ishte episodi i spiunit dhe kërkimi intensiv dhe mediatik i nisur nga trajneri brenda skiadrës së Realit të Madridit për të zbuluar se cili ishte lojtari që zbulonte formacionet, taktikat dhe sekretet e brendshme në media.

‘U çmend, na mblodhi të gjithëve dhe çfarë nuk na tha. Na tha se ishim fajtorë për gjithçka, nuk di nëse goditi një shishe me këmbë dhe mbylli me forcë derën e zyrës së tij-kujton Iker Casillas pa e ditur se kush ishte spiuni-kush e nxori këtë? Spiuni, sigurisht. Dhe kush është spiuni? Kërkojeni, gjejeni’

Edhe Marcelo ishte i pranishëm në atë skenë dhe tregoi versionin e tij.

‘Ishte i tërbuar-tregon Marcelo-ai kështu është, impenjohej në maksimum për të na ndihmuar që të fitonim dhe doli në dritë diçka që e dinim vetëm ne. Edhe tani duam të dime se cili qe ai maskara që foli’

Ndërsa asistenti i Mourinhos te Reali i Madridit në atë kohë, Rui Faria deklaroi se ishin të sigurt për atë që nxirrte të gjitha informacionet. 

‘E dinim kush ishte spiuni, ishim thuajse të sigurt. Sepse në fund të gjitha përgjigjet ishin në media-tha Rui Faria-nuk mund ta vërtetosh, por je thuajse i sigurt për mënyrën sesi funksionojnë gjërat’.

Në vitin 2013, Mourinho e mbylli etapën e tij të parë te Reali i Madridit me portugezin që pranoi se ishte shumë i stresuar.

‘Besoj se lojtarët nuk më duronin dot më si lider, por edhe unë nuk i duroja dot më ata-pohoi Mourinho duke vënë në dukje presionin me të cilin përballej-më kishte ardhur në majë të hundës me futbollistët dhe median’.

Dhe më pas Mourinho kujtoi edhe mesazhin që i dha Florentino Perez: ‘Tani vjen më e lehta, ne do të shkojmë lart, ata, Barcelona, poshtë’. Në fund trajneri portugez e mbylli këtë kapitull duke thënë: ‘Doja të largohesha. E ndjeja që kjo etapë ishte mbyllur’.

Top Channel