Futbolli palestinez rikthehet pas gati 3 vitesh, zhvillohet “Kupa e Mijëra Dëshmorëve” në nderim të sportistëve të vrarë

11/08/2026 08:45

Federata Palestineze e Futbollit ka njoftuar se aktivitetet sportive të klubeve do të rikthehen më 4 shtator, pas një ndërprerjeje të detyruar prej gati tre vitesh për shkak të luftës në Gaza.

Gara e parë që do të zhvillohet pas rikthimit do të jetë “Kupa e Mijëra Dëshmorëve”, e organizuar në nderim të më shumë se 1000 sportistëve palestinezë që, sipas të dhënave të federatës, janë vrarë nga Izraeli gjatë luftës.

Në turne pritet të marrin pjesë më shumë se 200 klube. Mes tyre janë 146 skuadra nga Bregu Perëndimor, 44 nga Gaza dhe 36 klube që përfaqësojnë kampet e refugjatëve palestinezë në Liban.

“Nuk e kemi humbur vullnetin tonë kombëtar, as bindjen se sporti do të vazhdojë të jetë simbol i shpresës dhe i jetës”, deklaroi presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit, Jibril Rajoub.

Rajoub ka përsëritur gjithashtu përpara FIFA-s kërkesën për vendosjen e sanksioneve ndaj klubeve izraelite që veprojnë në vendbanimet në Bregun Perëndimor, si dhe për pezullimin e Izraelit nga organizata botërore e futbollit, për shkak të situatës në Gaza.

Rikthimi i futbollit të klubeve në Palestinë vjen pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje, ndërsa “Kupa e Mijëra Dëshmorëve” do të shënojë rifillimin e aktiviteteve sportive dhe do të shërbejë edhe si homazh për sportistët palestinezë të vrarë gjatë konfliktit.

Top Channel