Dhunohet 23-vjeçarja në Shkodër, përfundon në spital. Policia vijon hetimet për kapjen e autorëve
José Mourinho ka bërë një rrëfim të papritur për një nga vendimet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke zbuluar se në vitin 2013 kishte firmosur kontratë për të marrë drejtimin e Manchester United pas largimit të Sir Alex Fergusonit.
Trajneri portugez ka treguar se marrëveshja me klubin anglez ishte arritur pasi Ferguson njoftoi tërheqjen nga pankina e “Djajve të Kuq”, por gjithçka ndryshoi në momentet e fundit. Mourinho vendosi të mos e respektonte marrëveshjen dhe zgjodhi rikthimin te Chelsea.
Rrëfimi është bërë në dokumentarin e ri të Netflix kushtuar jetës së trajnerit portugez, ku Mourinho ka vendosur të tregojë një histori që, sipas tij, nuk ishte bërë publike më parë.
“Kur u largova nga Real Madridi, firmosa me Manchester United për të shkuar atje pas Sir Alex”, ka treguar Mourinho.
Në atë periudhë, Ferguson sapo kishte mbyllur një nga kapitujt më të suksesshëm të historisë së Manchester United, duke fituar titullin e 13-të në Premier League dhe duke njoftuar më pas pensionimin.
Por Mourinho nuk përfundoi në “Old Trafford”. Ai shpjegon se lidhja e fortë emocionale me Chelsea-n ndikoi në vendimin e tij.
“Një gjë është dashuria për futbollin dhe tjetër gjë është dashuria për një klub të caktuar. Mendoj se kjo është më e fuqishme se dashuria për futbollin”, rrëfen portugezi.
Ferguson, i cili është intervistuar gjithashtu në dokumentar, ka treguar momentin kur Mourinho e telefonoi dhe i komunikoi se kishte ndryshuar mendje.
“Herët në mbrëmje më telefonoi dhe po qante. Më tha: ‘Alex, nuk mundem. I kam dhënë fjalën time Chelsea-t dhe nuk do ta thyej fjalën’”, ka treguar Ferguson.
Legjenda e Manchester United pranon se e kuptoi arsyen e Mourinhos, edhe pse ishte i zhgënjyer që trajneri portugez nuk do të bëhej pasuesi i tij.
Në vend të Mourinhos, drejtimin e United e mori David Moyes, i cili u shkarkua vetëm pas rreth 10 muajsh në detyrë. Mourinho do të mbërrinte në “Old Trafford” disa vite më vonë, në vitin 2016, dhe do të qëndronte në krye të ekipit për dy sezone e gjysmë.
Pavarësisht se humbi mundësinë për të pasuar Fergusonin, Mourinho thotë se nuk është penduar për zgjedhjen e bërë.
“Për mua, humbja e mundësisë për të qenë trajneri që do të pasonte Sir Alex Ferguson ishte dramatike, por nuk pendohem, sepse ishte një vendim që e mora me zemër”, është shprehur ai.
Mourinho u rikthye te Chelsea në vitin 2013, ku fitoi një tjetër titull të Premier League dhe një League Cup, përpara se të shkarkohej në dhjetor 2015.
Top Channel