Pas përfundimit të turneut veror në Australi dhe Indonezi, për Milanin ka ardhur momenti i marrjes së vendimeve siç kishte deklaruar edhe trajneri Ruben Amorim pas humbjes me Chelsea. Në fakt në ditët e ardhshme, trajneri portugez do të takohet me pronarin e klubit, Gerry Cardinale për të bërë një përmbledhje të situatës së merkatos së kuqezinjve.

Janë të shumta çështjet që do të diskutohen, mes të cilave ajo për Rafael Leaon. E ardhmja e futbollistit portugez është ende një mister dhe nëse ai largohet do të zhbllokojë të gjithë merkaton e Milanit. Leao rigjeti buzëqeshjen me shokët e skuadrës pas një vere ku ai lëshoi sinjale lamtumire, por klubi vazhdon ta konsiderojë si të shitshëm. Bisedimet me Galatasaray vazhdojnë, Milani kërkon të paktën 50 milionë euro për shitjen përfundimtare të futbollistit.

Të ardhura këto që do të përfshiheshin në bilancin financiar të klubit, duke qenë se Amorim ka deklaruar se nuk do që të kërkojë blerje të tjera, por që gjithsesi ëndërron një mbrojtës, një lojtar krahu dhe një mesfushor sulmues për të plotësuar skuadrën. Për objektivin e parë dhe të tretë të preferuar janë Goncalo Inacio i Sporting Lisbonë dhe Dario Osorio i Midtjylland.

Por më parë duhet që të bëhen disa largime. Hapat e parë; Athekame shkoi te Lyon me huazim, po kështu edhe Odogu është drejt largimit me huazim, ndërsa Bondo është drejt një shitjeje përfundimtare. Po kështu pritet të largohen edhe Terracciano, Ricci e Cissè. Më solid është pozicioni i Loftus-Cheek e Chukëueze, që u vlerësuan gjatë kësaj periudhe nga trajneri.

Përsa iu përket lojtarëve titullarë të sezonit të kaluar, ata që e kanë të ardhmen në dyshim te Milani janë Youssouf Fofana dhe Fikayo Tomori. Mesfushori francez nuk konsiderohet i domosdoshëm nga Amorim, ndryshe nga sa ndodhte me Allegrin, ndërsa mbrojtësi anglez ka një kontratë me Milanin që skadon në vitin 2027 dhe për klubin milanez është shansi i fundit për të përfituar të ardhura nga shitja e kartonit të tij. Nëse Gimenez pëlqehet nga Porto, për Estupinan, që përpara disa javësh dukej se ishte shumë pranë kalimit te Aston Villa, është ende e hapur gara

Ndërkaq, të dielën pas miqësores me Manchester United, do të jetë momenti që skuadrës t’i bashkohen Mike Maignan dhe Adrien Rabiot. Ata, ndryshe nga bashkëkombasit e tyre, Mbappe, Thuram apo Akliouche, patën më shumë ditë pushimi. Dy liderët e Milanit do të jenë në dispozicion të Amorim vetëm një javë përpara fillimit të sezonit të ri. Sidoqoftë as Cardinale e as Amorim nuk kanë dyshime, Maignan dhe Rabiot janë shtyllat e Milanit të së tashmes dhe të ardhmes.

Top Channel