Atletico Madrid nuk lëviz asnjë milimetër nga qëndrimi i tij në lidhje me çështjen Julian Alvarez. Ashtu sic ishte parashikuar, sulmuesi argjentinas këtë të hënë u kthye në Madrid duke iu bashkuar skuadrës dhe siç ndodh zakonisht kreu vizitat mjekësore me Los Colchoneros.

Atletico Madrid u kthye nga Seuli në Spanjë pas mesnate dhe lojtarët që morën pjesë në turneun e zhvilluar në Korenë e Jugut u lanë pushim deri të mërkurën dhe e gjithë kjo ishte e programuar ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do të stërvitet.

Deri ditën e mërkurë, nuk do të ketë një takim mes Alvarez dhe Simeones, po kështu edhe me Marcos Llorente e Baena. Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të thotë Julian Alvarez skuadrës apo klubit. Mbetet për t’u parë nëse do të flasë me Simeonen apo Mateu Alemany apo nëse fjalët e tij do të shkojnë në veshët e Miguel Angel Gil, shefit ekzekutiv të Atletico Madrid, por sipas të përditshmes spanjolle AS, mesazhi i drejtuesve të Los Colchoneros që do t’i jepet futbollistit është i qartë.

‘Kërko falje dhe futiu punës’. Janë 5 fjalë që konfirmojnë edhe njëherë qëndrimin e Atletico Madrid. Julian Alvarez nuk do të shkojë te Barcelona kjo sepse Los Colchoneros nuk kanë ndërmend të hyjnë në bisedime më asnjë klub për transferimin e argjentinasit, gjë që e kishte pohuar edhe vetë Gil Marin përpara pak ditësh. Tani mbetet vetëm të presim se çfarë do të ndodhë realisht në momentin që Julian Alvarez do të flasë me trajnerin dhe drejtuesit e Atletico Madrid.

Top Channel