Tragjike në Ksamil/ Babai përplas aksidentalisht vajzën 4-vjeçare gjatë manovrës me makinë, fëmija humb jetën

09/08/2026 12:13

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku një vajzë 4-vjeçare ka humbur jetën pasi është përplasur aksidentalisht nga automjeti i babait të saj.

Ngjarja ka ndodhur në një parkim privat. Sipas të dhënave paraprake, gjatë një manovre me automjetin tip “Audi”, me targa CS 440 PP, drejtuesi Ergys Marku ka goditur vajzën e tij 4-vjeçare, Ajla Marku.

Pavarësisht ndërhyrjes, fëmija ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Korrespondentja e Top Channel, Entjola Budo raporton se familja Marku, nga Lezha, kishin pakë ditë që kishin ardhur me pushime në Ksamil.

Policia e Sarandës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.

Njoftimi i policisë

Ksamil/ Informacion paraprak

Rreth orës 11:30, në një parkim privat, pranë plazhit në Ksamil, shtetasi E. M., duke kryer manovrën e parkimit me automjetin tip “Audi”, dyshohet se ka goditur aksidentalisht vajzën e tij, 4 vjeçe.

Si pasojë e përplasjes, e mitura ka humbur jetën në vendngjarje.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel