Kjo është një ditë normale pune në bujqësi. Aktualisht, unë ndodhem në fermën e Ylli Jangozit, në fshatin Sukth Vendas të Krujës.
Edhe pse temperaturat shënojnë 41 gradë Celsius, ai nuk është dorëzuar, sepse ushqimi blegtoral duhet dorëzuar në ferma. Ylli thotë se viti 2026 nuk ka qenë aspak i mirë. Kostot e larta të prodhimit, si shtrenjtimi i naftës dhe fuqia punëtore, ndikuan që të përgjysmonte sipërfaqen e të mbjellave.
“Vjet mbolla 180 ha, sot lamë diku te 80 ha misër silazh.”, shprehet5 Ylli Jangozi, fermer.
I gjithë ky prodhim që sapo u korr nuk i siguron fermerit gjithmonë fitimin e duhur. Ylli thotë se shpirti i tregtisë ka humbur, pasi tanimë në bujqësi jo gjithmonë merren para për prodhimin. Përkundrazi, përdoret mënyra e vjetër: shkëmbim mall me mall. Ylli dha misër e mori lopë.
“Fermat dhe fuqia blerëse janë në rënie. Kemi probleme me likuiditetin, nuk marrim para, por punojmë me klering. Për shembull, unë i çoj silazhin, ai më jep lopë, mëshqerra dhe unë i shes pastaj për të larë borxhet. Ja, herën e kaluar mora 20 lopë dhe i shita lirë fare. S’kam çfarë të bëj.“, shton ai.
Ylli thotë se misrin vendas po e konkurron ai i importit për shkak të çmimit dhe cilësisë, dhe këtë e tregoi prania e aflatoksinës gjatë këtij viti. Ky fermer bën apel për ndihmë, me qëllimin e vetëm që të mos e braktisë atë tokë që punon.
“Fermerit i shkon në vend silazhi 120 lekë të vjetra. Ky është çmim për mbijetesë. Shqiptarët duhet të blejnë misrin vendas. Nëse politika na harron, eja t’i japim një dorë njëri-tjetrit“, shton Jangozi.
Top Channel