Kolumbia nën sulme me bomba, droni me eksploziv vret një polic

09/08/2026 13:23

Dy sulme me eksplozivë shënuan ditën e parë të presidencës së Abelardo de la Espriella-s në Kolumbi.

Një polic humbi jetën dhe disa persona të tjerë u plagosën, ndërsa kreu i ri i shtetit premtoi se autorët nuk do të gjejnë strehim dhe nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.

Sulmi i parë ndodhi pranë qytetit Cali, ku eksplozivët shkatërruan një pikë pagese në autostradën Panamerikane në bashkinë Santander de Quilichao. Dy roje sigurie pësuan plagë të lehta. Ushtria kolumbiane ia atribuoi sulmin disidentëve të FARC-ut, të cilët veprojnë nën komandën e Iván Mordiscos, një prej guerrilasve më të kërkuar në vend.
Grupi i tij u shkëput nga marrëveshja historike e paqes e vitit 2016. Rreth një mijë kilometra më në veri, në departamentin Cesar, një dron i pajisur me eksploziv goditi një komisariat policie, duke vrarë një efektiv. Autoritetet nuk kanë identifikuar ende autorët.

Presidenti i ri, i cili ka premtuar ndërprerjen e bisedimeve të paqes dhe ofensivë më të ashpër ndaj guerrilasve e trafikantëve të drogës, deklaroi se sulmet nuk do të mbeten pa ndëshkuar. De la Espriella merr drejtimin e Kolumbisë në një prej periudhave më të dhunshme të dekadës së fundit.

Top Channel