Situata e zjarrit në Krujë ka detyruar autoritetet të marrin masa emergjente për mbrojtjen e banorëve.
Bashkia Krujë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të zonës Barabit-Lluban, ndërsa strukturat e emergjencave, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për realizimin e evakuimit dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Njoftimi nga Bashkia
Urdhër për evakuim të menjëhershëm në zonën Barabit–Lluban, Bashkia Krujë
Në zbatim të Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës Barabit–Lluban, në Bashkinë Krujë.
Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë.
Për realizimin e evakuimit do të angazhohen mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Bashkia Krujë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore.
📌 U bëjmë thirrje banorëve të zonës Barabit–Lluban të ndjekin me përparësi udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave gjatë procesit të evakuimit.
Top Channel