Vijojnë sulmet ruse në Ukrainë/ Shpërthime me raketa pranë Kievit, tre persona të vrarë, mes tyre një fëmijë
Ukraina ka arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për dërgesa mujore të raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, ka njoftuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Zelensky e bëri të ditur marrëveshjen gjatë një deklarate për gazetarët në Serbi, ku tha se Ukraina ka siguruar edhe një marrëveshje me presidentin amerikan Donald Trump për licencat për prodhimin e interceptorëve të raketave Patriot.
Presidenti ukrainas theksoi se këto sisteme janë jetike për mbrojtjen e vendit nga raketat balistike ruse, ndërsa kritikoi vonesat në furnizimin me to. “Imagjinoni sikur t’i kishim marrë katër vjet më parë”, u shpreh Zelensky, duke nënvizuar rëndësinë që këto sisteme kanë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Sistemi Patriot konsiderohet një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe është ndër të paktët që mund të përgjojë raketa balistike. Për Ukrainën, ai ka marrë një rëndësi të veçantë për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse me raketa.
Megjithatë, municionet për sistemet Patriot janë të kushtueshme dhe rezervat e tyre janë të kufizuara. Aleatët e Ukrainës kanë furnizuar Kievin me raketa dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, por sipas autoriteteve ukrainase, këto dërgesa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e vendit.
Marrëveshja e re për dërgesat mujore synon të forcojë kapacitetet e Ukrainës për të mbrojtur qytetet dhe objektivat strategjike nga sulmet ajrore ruse.
Top Channel