Fluks i madh lëvizjesh në Portin e Vlorës/ 2 mijë pasagjerë pritet të hyjnë sot në qytetin bregdetar, rritet numri i sporteleve

08/08/2026 09:29

E shtuna ka sjellë një fluks të shtuar udhëtarësh në Portin e Vlorës.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi, trageti i linjës Brindisi-Vlorë ka mbërritur paraditen e sotme me rreth 800 pasagjerë dhe 400 automjete.

Ndërkohë, trageti i dytë, i cili pritet të mbërrijë rreth orës 17:00, parashikohet të sjellë edhe rreth 1 mijë e 200 pasagjerë të tjerë.

Në total, vetëm gjatë ditës së sotme, nëpërmjet dy trageteve të linjës Brindisi-Vlorë, pritet të mbërrijnë në qytetin bregdetar rreth 2 mijë pasagjerë.

Fluksi i shtuar pritet të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme, ku përveç emigrantëve që kthehen në Shqipëri, numri i udhëtarëve pritet të rritet edhe nga turistët e huaj, të cilët zgjedhin linjat detare nga Brindisi drejt Vlorës për të kaluar pushimet verore në Shqipëri.

Për përballimin e fluksit, Policia Kufitare ka shtuar masat në Portin e Vlorës. Numri i sporteleve në dispozicion është rritur nga numri i zakonshëm gjatë vitit, duke shkuar deri në 12 dhe në momentet me fluks maksimal në 16 sportele.

Kjo masë synon të përshpejtojë kontrollet e dokumentacionit dhe të shmangë krijimin e radhëve dhe vonesave për pasagjerët që mbërrijnë në vendin tonë.

Top Channel