Tregtia udhëheq kreditimin, rritet kërkesa nga ndërtimi, ndërsa akomodimi frenon huamarrjen

07/08/2026 12:12

Teksa vera sjell më shumë lëvizje në ekonomi dhe bizneset përgatiten për muajt më intensivë të vitit, bankat po financojnë gjithnjë e më shumë sektorët që kanë nevojë për investime dhe kapital qarkullues.

Sipas Bankës së Shqipërisë kredia e re për bizneset arriti në 30.4 miliardë lekë në muajin maj, 18.5% më shumë se një vit më parë. Kompanitë po investojnë, po zgjerojnë aktivitetin dhe po mbështeten te bankat për të financuar planet e tyre.

Peshën kryesore e mban tregtia me shumicë dhe pakicë. Me rritjen e konsumit dhe fluksit të turistëve ky sektor tërhoqi 12.9 miliardë lekë kredi, rreth 19% më shumë se një vit më parë.

Edhe industria përpunuese vijon të kërkojë financim për të rritur prodhimin dhe për të përballuar kërkesën e sezonit. Në gjashtëmujorin e parë kreditimi arriti në 3.6 miliardë lekë, me një rritje prej 5.9%.

Ndërkohë transporti dhe magazinimi shënuan rritjen më të fortë me kredi mbi 7 herë më të larta se një vit më parë, një tregues i shtimit të lëvizjes së mallrave dhe aktivitetit ekonomik. Edhe ndërtimi ka zgjeruar huamarrjen me 61%, ndërsa energjia vijon të financojë investime të reja.

Nga ana tjetër bie në sy tërheqja e sektorit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Edhe pse sezoni turistik është në kulmin e tij kërkesa për kredi u përgjysmua duke zbritur nga 3.7 miliardë lekë në 1.5 miliardë lekë. Kjo mund të tregojë se një pjesë e bizneseve kanë siguruar financimin më herët ose po mbështeten më shumë te të ardhurat e sezonit sesa te kreditë bankare.

Në fund të listës vijojnë të mbeten bujqësia, peshkimi, arsimi dhe shëndetësia. Këta sektorë vazhdojnë të marrin më pak financim çka tregon se bankat ende përqendrojnë huadhënien te aktivitetet me qarkullim më të lartë dhe kthim më të shpejtë të investimit.

KREDITIMI PËR BIZNESET

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Janar  19.4 mld lekë

Shkurt  20.5 mld lekë

Mars    27.2 mld lekë

Prill    25.5 mld lekë

Maj   25.4 mld lekë

Qershor   30.4 mld lekë

 

TREGTIA ME SHUMICË DHE PAKICË, QERSHOR

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

 

12.9 MLD LEKË

+19%

 

INDUSTRIA PËRPUNUESE

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

 

Qershor 2025      3.4 mld lekë

Janar 2026           1.9 mld lekë

Qershor 2026       3.6 mld lekë

 

KREDITIMI PËR SEKTORIN E SHËRBIMEVE

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

 

Maj           3.7 mld lekë

Qershor     1.5 mld lekë

SEKTORËT MË TË NËNFINANCUAR

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

 

Bujqësia    358 mln lekë

Arsimi        437 mln lekë

Shëndetësia   310 mln lekë

 

 

Top Channel