Poezia e Teodor Kekos rikthehet në skenë, homazh në Durrës nga aktorët

07/08/2026 12:30

Poezia e Teodor Kekos mblodhi artdashësit në Muzeun Etnografik të Durrësit, ku teatri “Aleksandër Moisiu” organizoi një mbrëmje artistike kushtuar një prej zërave më të spikatur të letërsisë shqipe.

Përmes fuqisë së fjalës, kujtesës dhe emocionit, nën regjinë e Andia Xhungës, aktorët e trupës së teatrit interpretuan poezi dhe fragmente nga krijimtaria e Kekos, duke sjellë për publikun universin artistik të autorit.

Poet, prozator, publicist dhe politikan, Teodor Keko u shqua për stilin e tij të drejtpërdrejtë, ironinë e hollë, vështrimin kritik ndaj shoqërisë shqiptare, po dhe për poezitë e dashurisë. Ai u nda nga jeta në vitin 2002, në moshën vetëm 43-vjeçare, por krijimtaria e tij vazhdon të lexohet, të ribotohet dhe të frymëzojë artistë e lexues, duke mbetur një nga zërat më autentikë të letërsisë së pas viteve ’90.

Mbrëmja u mbyll plot emocion nga aktori i mirënjohur Xhelal Tafaj. Ky aktivitet artistik nuk ishte vetëm një homazh për autorin, që simbolikisht qe i pranishëm, përmes fotos dhe xhaketës së tij, por edhe një dëshmi se pena e tij artistike mbetet e pacenuar nga koha. Ajo vazhdon të komunikojë me breza të ndryshëm, duke e mbajtur të gjallë trashëgiminë e tij.

Top Channel