Milan, Amorim nuk fshihet: Synojmë titullin, javën e ardhshme do të duhet të marr vendime të rëndësishme

07/08/2026 10:44

Ruben Amorim nuk fshihet. Teksa është në pritje të kthimit nga pushimet edhe të lojtarëve të fundit, trajneri portugez ngre stekën përsa iu përket objektivave të Milanit për sezonin e ardhshëm

‘Jemi Milani, nuk mund të vijmë e të themi se nuk e synojmë titullin kampion-tha trajneri i kuqezinjve nga Xhakarta-sigurisht që do të jetë e vështirë, duke qenë se ka shumë punë për të bërë, por kur je në një klub të nivelit të Milanit, duhet të synosh titullin. Kështu që do të tentojmë ta fitojmë, duke ditur që kualifikimi në Ligën e Kampioneve është e rëndësishme për klubin tonë. Edhe në Europa League mund të bëjmë diçka të rëndësishme’.

Te Milani ka ndryshuar totalisht mënyra e lojës në krahasim me epokën Allegri dhe Amorim pret që skuadra të bëjë hapa të rëndësishëm përpara që në miqësoren me Chelsea e programuar të luhet këtë të shtunë.

‘Pres që skuadra të bëjë mirë në lojën me top të ndalur-vijoi Amorim-do të provojmë disa zgjidhje dhe do të vlerësojmë disa lojtarë duke përfshirë Comotto dhe Diaëara. Duhet të përmirësohemi në lojën me top dhe të shënojmë një rritje në lojën një për një sepse nëse duan të ushtrojmë presing lart duhet të jemi të fortë në duelet individuale. Në sfidën ndaj Chelsea dua të shoh gjëra të reja nga ekipi dhe ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme për të qenë plotësisht gati për ndeshjen me Torinon. Ndaj skuadrës granata do të jemi një skuadër ndryshe dhe do të luajmë me një stil loje të përcaktuar mirë. Por sigurisht që nuk jemi ende perfektë’

Dhe në fund, Amorim iu referua edhe merkatos së transferimeve.

‘Javën e ardhshme do të më duhet të marr vendime-tha Amorim-grupi është i madh dhe kemi arritur në një moment ku kam nevojë të marrë numrin më të madh të mundshëm të informacioneve për të bërë zgjedhjet e duhura’.

Top Channel