Futbollistët e Energie Cottbus surprizojnë tifozët, shkojnë në kinema të veshur si Spiderman
Transferimi i Fisnik Asllanit te RB Leipzig ka marrë një kthesë të papritur dhe është anuluar në momentet e fundit, pasi sulmuesi nuk ka kaluar kontrollet mjekësore të kërkuara nga klubi gjerman.
Kalimi dukej praktikisht i mbyllur. Leipzig ishte gati të aktivizonte klauzolën prej 25 milionë eurosh në kontratën e Asllanit me Hoffenheim-in, ndërsa sulmuesi pritej të firmoste një kontratë deri në vitin 2031. Madje, Asllani kishte munguar tashmë në disa seanca stërvitore dhe ndeshje përgatitore të Hoffenheim-it, në pritje të finalizimit të transferimit. Por gjithçka ndryshoi të premten në mbrëmje.
Hoffenheim konfirmoi zyrtarisht se kishte pasur negociata me RB Leipzig, por marrëveshja nuk do të realizohet për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Leipzig gjatë kontrolleve mjekësore të lojtarit. Megjithatë, drejtuesit e Hoffenheim-it kanë dalë hapur në mbështetje të Asllanit. Drejtori i përgjithshëm Andreas Schicker deklaroi se dështimi i transferimit nuk përbën aspak një lajm të keq për klubin nga ana sportive.
“Fakti që ky transferim nuk realizohet nuk është aspak lajm i keq për ne nga ana sportive. Për ne është krejtësisht e qartë se Fisniku mund të performojë fizikisht dhe sportivisht në nivelin më të lartë”, u shpreh Schicker. Ai shtoi se klubi do të qëndrojë pranë futbollistit dhe se Asllani do të rikthehet në stërvitje me ekipin.
“Ne qëndrojmë pranë lojtarit tonë. Fisniku ka kontribuar në mënyrë vendimtare në suksesin tonë sezonin e kaluar, e ka kryer normalisht përgatitjen dhe nga java e ardhshme rikthehet të stërvitet me ekipin”, deklaroi drejtuesi i Hoffenheim-it. Nga ana tjetër, RB Leipzig nuk ka bërë deri tani asnjë koment publik mbi arsyet konkrete që çuan në dështimin e transferimit.
Fisnik Asllani, 23 vjeç, i lindur në Berlin dhe me origjinë nga Kosova, zhvilloi një sezon shumë të mirë me Hoffenheim-in. Sulmuesi regjistroi 21 kontribute direkte në gola, mes golave dhe asistimeve, në 35 ndeshje zyrtare sezonin e kaluar, duke u kthyer në një prej lojtarëve më të spikatur të ekipit dhe një nga emrat më të kërkuar në tregun gjerman.
Interes për Asllanin kishte shfaqur edhe klube të tjera të rëndësishme të Bundesligës, ndërsa Leipzig ishte shumë pranë transferimit të tij për 25 milionë euro. Tashmë, pas dështimit të marrëveshjes, Asllani pritet të rikthehet te Hoffenheim-i, ndërsa mbetet për t’u parë nëse RB Leipzig do të rikthehet në merkato për të gjetur një tjetër sulmues apo nëse do të vijojë sezonin me alternativat aktuale.
Top Channel