Dy vatra zjarri mbeten aktive në Elbasan, situata më problematike në Malin e Dardhës
Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive në disa fshatra të zonës së Panahorit, Ngraçanit, Ribanit, Drenies dhe Vloshtit, ndërsa autoritetet në terren kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga ajri me të paktën dy helikopterë, të cilët tashmë kanë vijuar punën.
Sipas informacioneve nga terreni, zjarri në zonën e Panahorit vazhdon me intensitet të lartë, duke u përhapur në drejtim të fshatrave Panahor dhe Çyçen, me rrezik për t’u zgjeruar edhe drejt fshatit Cfir.
Ndërkohë, mbi fshatin Ngraçan flakët vazhdojnë me intensitet më të ulët, por me tendencë për t’iu afruar zonës së banuar. Situata nga zjarri në zonën e Ngraçanit vijon të jetë nën monitorim, ndërsa për momentin nuk raportohet rrezik për banesat.
Në terren po punojnë forca të shumta të ushtrisë, ndërsa ndërhyrja nga ajri po vijon me dy helikopterë, në përpjekje për të vënë flakët nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në zona të tjera.
Në fshatin Riban, zjarri mbetet aktiv në brendësi të masivit me pisha, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen edhe në drejtim të masivit pyjor të Drenies dhe Vloshtit.
Në operacionin për shuarjen e zjarreve janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 30 punonjës të forcave bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura.
Autoritetet theksojnë se terreni i vështirë, masivi i dendur pyjor, sipërfaqja e madhe e përfshirë nga zjarri dhe rritja e temperaturave gjatë orëve të mesditës e bëjnë të domosdoshme mbështetjen nga ajri.
Top Channel