Liga e Kampioneve për vajza, Vllaznisë nuk i mjafton Megi Doçi, shkodranet nuk arrijnë finalen e grupit

05/08/2026 23:09

Vllaznia e futbollit të vajzave nuk ia doli dot të arrinte në finalen e grupit të raundit të dytë në Ligën e Kampioneve. Vajzat shkodrane u mposhtën nga Spartak Myjava me rezultatin 2-1 në ndeshjen e zhvilluar në Qipro.

Ishte skuadra sllovake ajo që zhbllokoi rezultatin në minutën e 42 teksa shënoi me Andrea Bogorova dhe pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Spartak Myjavas. Në minutën e 68, vajzat sllovake shënuan edhe golin e dytë këtë radhë me Vredikovën duke fituar qetësinë në fushën e lojës.

Por në minutën e 74, Megi Doçi me një gjuajtje të fortë nga distanca rihapi llogaritë e ndeshjes teksa shënoi për Vllazninë që shkurtoi diferencën në 2-1. Por për fatin e keq vajzat e Vllaznisë nuk ia dolën dot të gjenin golin e barazimit dhe kjo ndeshje përfundoi me fitoren e Spartak Myjavas, ndërsa Vllaznia ka edhe një ndeshje për të luajtur, atë të 8 gushtit me Apollon Limassol. 

Top Channel