Krizë në Holandë, edhe Arne Slot refuzon drejtimin e kombëtares
Franco Baresi ishte përtej ngjyrave, përtej tifozërive dhe përtej fushës së lojës. Që gjatë karrierës së tij si futbollist, kapiteni historik i Milanit u dallua për një ndjeshmëri të jashtëzakonshme njerëzore – një vlerë që po kujtohet me respekt nga të gjithë dashamirësit e futbollit, italianë dhe jo vetëm.
Në rrjetet sociale është risjellë në vëmendje një episod emocionues që daton në vitin 1990, kur Milani u përball me belgët e Mechelen në çerekfinalet e Kupës së Kampionëve. Klubi belg kërkoi dhe arriti që ta luante atë ndeshje në Bruksel për arsye përfitimesh financiare nga biletat, duke bërë që për herë të parë pas 5 vitesh, një klub italian të luante një ndeshje zyrtare në stadiumin “Heysel”.
Ky vendim ngjalli protesta dhe polemika të shumta, pasi plagët ishin ende të hapura nga finalja tragjike e Kupës së Kampionëve e 5 viteve më parë (1985) mes Juventusit dhe Liverpoolit. Në atë finale humbën jetën tragjikisht 39 persona, mes të cilëve shumë tifozë juventinë, të shtypur nga turma pas sulmeve të hooliganëve anglezë në sektorin famëkeq “Curva Z”.
Pikërisht poshtë atij sektori, që në atë kohë ishte riemërtuar “Nord Nord”, kapiteni i Milanit, Franco Baresi, vendosi në vitin 1990 një tufë me 39 trëndafila të kuq – një për secilën nga 39 viktimat e pesë viteve më parë. Gjesti u bë pak para fillimit të ndeshjes kundër Mechelen, pavarësisht ndalimeve të rrepta nga autoritetet e Brukselit dhe vetë UEFA, të cilat kishin refuzuar çdo përkujtim zyrtar, mbajtjen e një meshe në nder të viktimave, shiritin e zi në krah apo edhe një minutë heshtje.
Franco Baresi, i shoqëruar nga drejtori organizativ Paolo Taveggia, i theu këto ndalime për të bërë një gjest të madh humanizmi. “Na u duk minimumi që mund të bënim si italianë për të kujtuar atë ngjarje të rëndë,” u shpreh Taveggia para ndeshjes.

Gjesti nuk u harrua nga rivalët historikë. Tifozët e Juventusit e falënderuan kapitenin e Milanit në stadiumin “Comunale” të Torinos gjatë ndeshjes së parë direkte pas atij episodi, duke shpalosur një banderole ku shkruhej: “Baresi, 39 herë faleminderit”. Numri 39 në këtë falënderim u dedikohej pikërisht 39 viktimave të tragjedisë së Heyselit, për të cilat Baresi vendosi po aq trëndafila të kuq, duke dëshmuar se respekti për jetën dhe dhimbjen qëndron mbi çdo rivalitet sportiv.

Top Channel