Arne Slot ka refuzuar ofertën e Federatës Holandeze të Futbollit për të marrë drejtimin e kombëtares, duke lënë ende vakant stolin e “Portokallinjve”, vetëm rreth dy muaj para nisjes së Ligës së Kombeve, ku Holanda bën pjesë në të njëjtin grup me Greqinë.

Pas dorëheqjes së Ronald Koeman, e cila erdhi pas eliminimit të Holandës nga Maroku në fazën e 1/16-ve të Kupës së Botës, drejtuesit e federatës e konsideruan Slot si kandidatin ideal për ta zëvendësuar.

Megjithëse në ditët e fundit kishte optimizëm se palët mund të arrinin një marrëveshje, trajneri 47-vjeçar vendosi ta refuzojë ofertën. Sipas mediave holandeze, Slot u ka bërë të ditur drejtuesve të federatës se dëshiron të vazhdojë karrierën në futbollin e klubeve dhe nuk e sheh ende veten në krye të një kombëtareje.

Po sipas të njëjtave burime, ish-trajneri i Liverpoolit ka refuzuar edhe oferta nga Milani, Fulhami dhe Al-Ahli i Arabisë Saudite.

Ndërkohë, Federata Holandeze po has vështirësi në gjetjen e pasardhësit të Koeman. Edhe emra të njohur si Erik ten Hag, aktualisht drejtor teknik te Twente, dhe Peter Bosz, i cili sapo ka rinovuar kontratën me PSV Eindhoven, nuk janë të gatshëm të marrin drejtimin e kombëtares.

Top Channel