Anthony Fauci ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të senatorëve amerikanë për origjinën e COVID-19 dhe mënyrën se si Shtetet e Bashkuara menaxhuan pandeminë.
Gjatë një seance treorëshe të Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare, 85-vjeçari përdori më shumë se 100 herë Amendamentin e Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron një person nga detyrimi për të dhënë dëshmi që mund të përdoren kundër tij.
Seanca u drejtua nga senatori republikan Rand Paul, një nga kritikët më të ashpër të Faucit. Paul e akuzon ish-drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive se ka mashtruar Kongresin lidhur me financimin e kërkimeve mbi koronaviruset në Institutin e Virologjisë në Wuhan. Fauci i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Në qendër të debatit janë vendosur edhe 1.141 faqe nga ditari i Faucit gjatë viteve të pandemisë, të publikuara nga Rand Paul. Sipas senatorit republikan, shënimet private bien ndesh me deklaratat publike të ish-zyrtarit.
Paul ka publikuar gjithashtu komunikime mes shkencëtarëve, për të cilat republikanët pretendojnë se tregojnë se autorët diskutonin privatisht mundësinë e një rrjedhjeje nga laboratori, ndërsa në deklaratat publike nuk e mbështesnin këtë hipotezë.
Nga ana e tij, Fauci i cilësoi akuzat shpifëse dhe deklaroi se Rand Paul po zhvillon një fushatë politike për ta çuar atë në burg. Demokratët e kanë cilësuar seancën si një proces politik me një përfundim të paracaktuar.
Ndërkohë, më shumë se 150 shkencëtarë kanë kërkuar ndalimin e asaj që e quajnë përndjekje të Faucit, duke argumentuar se nuk janë paraqitur prova të besueshme që e lidhin atë me krijimin ose fshehjen e origjinës së virusit.
Origjina e COVID-19 mbetet ende e pazgjidhur. FBI-ja dhe CIA e konsiderojnë të mundshme hipotezën e një rrjedhjeje nga laboratori, megjithëse CIA e ka vlerësuar këtë skenar me besueshmëri të ulët. Nga ana tjetër, katër agjenci të tjera amerikane të inteligjencës dhe Këshilli Kombëtar i Inteligjencës mbështesin teorinë se virusi kaloi natyrshëm nga kafshët te njerëzit.
Top Channel