“Katër oficerë të shtabit do të shkojnë në Gaza”, ministri Nufi: Miratuam shpërblimin për zjarrfikësit, kemi menaxhuar dhe shuar 27 vatra zjarri

30/07/2026 10:24

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, doli në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ku foli për një sërë çështjesh që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe menaxhimin e emergjencave në vend.

Ai bëri të ditur se Shqipëria do të kontribuojë me oficerë në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gaza, ndërsa dha detaje edhe për bashkëpunimin me NATO-n dhe SHBA-në, projektin për prodhimin e anijeve luftarake, si edhe për situatën e zjarreve në vend dhe shpërblimin e miratuar për zjarrfikësit.

“Sot në mbledhjen e fundit për këtë sezon të Këshillit të Ministrave u miratuan disa akte për Ministrinë e Mbrojtjes, 5 gjithsej:

Ndër ta janë ndryshimi te ligji për TVSH për të vijuar procedura për disa nga kompanitë dhe të gjitha ndërmarrjet e përbashkëta që ne kemi në fushën e industrisë dhe mbrojtjes, lidhur me ligjin për TVSH dhe lidhur me angazhimin e tyre konkret në sitën e teknologjisë së fjalës së fundit për këtë industri në Republikën e Shqipërisë.

Ky lehtësim është i jashtëzakonshëm përsa i përket zhvillimit të mëtejshëm, angazhimin dhe ngritjen e këtyre fabrikave, këtyre kompanive në Republikën e Shqipërisë për prodhimin e mjeteve dhe pajisjeve ushtarake, duke garantuar kështu që prodhimi për Forcat e Armatosura dhe Forcat e Sigurisë në Republikën e Shqipërisë është në kohë reale dhe të dorëzohet në një mënyrë shumë të shpejtë.

Shumë shpejt në ditët e ardhshme do të kemi dhe një event tjetër ku do të bëjmë me dije edhe se sa shpejt këto mjete prodhohen kur ato prodhohen në Republikën e Shqipërisë dhe sa efektivë janë kur këto prodhime ndodhin në Shqipëri.

E dyta: u miratua edhe projektakti ligjor për të vajtur në Kuvend për miratimin e misionit tonë në Gaza.

Në përputhje edhe me mandantin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza, duke filluar fillimisht me 4 oficera Shtabi.

Ne e kemi bërë të ditur edhe në intervistat e tjera dhe në daljet e tjera publike që ky do të jetë angazhimi i Republikës së Shqipërisë dhe me vajtjen e këtyre 4 oficerave të Shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, do të vlerësohet më pas edhe kush do të jetë niveli konkret i trupave që do dërgohen në Gaza, duke përfshirë këtu edhe vendodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen.

Tjetër është edhe miratimi i projekt-aktit për mbylljen e kantierit të vjetër të Ndërmarrjes Shtetërore të Kantierit të Ndërtimit dhe Riparimit të Anijeve (KNRA), i cili do të vihet në dispozicion të shoqërisë FINCANTIERI.

Edhe ky akt i hap rrugën e zhvillimit të atij kantieri detar që ka prodhuar tashmë anije në Republikën e Shqipërisë, për zhvillimin e një bashkëpunimi tregtar të jashtëzakonshëm, një shoqëri më të madhe, ndër më të mëdhatë në botë për prodhimin e anijeve që shoqëria FINCANTIERI  së bashku me shoqërinë KAYO në këtë bashkim të ri në këtë “Joint Venture” të ri, do të prodhohen anije deri në 82 metra që është një hap i jashtëzakonshëm sa i përket jo vetëm kapaciteteve prodhuese, por edhe kapaciteteve teknologjike në Republikën e Shqipërisë.

Ai kantier do të shndërrohet i tëri dhe do të përshtatet për prodhimin e anijeve të këtyre përmasave. Është një vlerë e shtuar jo vetëm për Sigurinë Kombëtare, por edhe për prodhimet teknologjike dhe vendet e punës, por edhe për “Know How” që vjen në Republikën e Shqipërisë.

Tjetra lidhet me mbajtjen e fjalës të premtimit të Kryeministrit thënë publikisht për shpërblimin e Forcave të Armatosura dhe të gjitha forcat e angazhuara në situatën e zjarreve.

Sot është miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili autorizon Njësitë e Pushtetit Vendor që të japin shpërblime për zjarrfikëset që janë pranë tyre dhe gjithashtu ka miratuar dhe shpërblimet për të gjitha trupat dhe të gjithë forcat që ndodhen në Forcat e Armatosura, në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes që janë angazhuar tashmë për situatën e zjarreve.

Situata e zjarreve sivjet është menaxhuar në mënyrë shumë të mirë, jemi shumë krenarë për punën që të gjithë aktorët dhe faktorët kanë zhvilluar në menaxhimin e zjarreve.

Kemi mbi 27 vatra masive zjarri që janë mitiguar dhe janë shuar në Republikën e Shqipërisë, duke filluar nga Fieri, Driza, nga Fushë-Arrëzi, nga Kurbini, Lezha e të tjerë me radhë, ku janë mbi 1,380 forca që janë aktualisht të angazhuara në shuarjen e këtyre zjarreve, kapacitetet si asnjëherë tjetër, si asnjë vit tjetër kanë qenë operacionale.

E patë edhe në daljen e fundit të Kryeministrit – mjetet zjarrfikëse, flota e helikopterëve që është në dispozicion për shuarjen e këtyre zjarreve. Janë mbi 90 mjete që kanë qenë aktive, janë mbi 5 helikopterë që janë aktivë për shuarjen e këtyre zjarreve.

Deri më tani falë koordinimit dhe përgatitjes shumë të mirë dhe të gjithë angazhimit të njësive të pushtetit vendor, prefektëve apo Forcave të Armatosura nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), janë shuar dhe mitiguar shumë nga rastet emergjente që kanë qenë në Republikën e Shqipërisë.

Aktualisht kemi një situatë zjarri në Dajt, janë mbi 120 forca që aktualisht po punojnë për shuarjen e zjarrit, pa llogaritur këtu angazhimin që janë dhe nga pushteti vendor. Janë dy helikopterët që aktualisht po zhvillojnë pjesën e shuarjes së zjarreve nga ajri.

Besoj dhe jam i bindur që ky shpërblim shkon në vendin e duhur, shpërblim i merituar për njerëzit e punës, për ata që janë në vijë të parë të frontit, përballen me zjarret dhe që garantojnë që situata të jetë nën kontroll, e menaxhuar dhe që gjithë pjesa e biznesit, jetës së qytetarëve është e sigurtë për sa kohë këta njerëz janë në vijë të parë të frontit.

Ky shpërblim është një shpërblim i merituar. Qeveria ia jep të gjithë atyre, të cilët përballen drejtpërsëdrejti me zjarret, përballen në vijë të parë, në vijë të parë të frontit të gjithë emergjencave kudo në Republikën e Shqipërisë.

Dhe e fundit lidhet me një akt, i cili lidhet me misionin tonë në Letoni. Këto janë kryesisht aktet që janë kaluar sot për Ministrinë e Mbrojtjes dhe faleminderit. Për pyetje pastaj”, u shpreh Nufi.

Top Channel