Interesi i bizneseve për të hyrë në marrëveshje me shtetin me qëllim arritjen e fitimeve të dakordësuara dhe ndërhyrjen në pasqyrat financiare ka qenë i ulët në këtë etapë të parë të zbatimit të paqes fiskale.
Nga ndërtimi deri tek industria, 19 biznese kanë arritur të realizojnë procedurat nga 62 aplikime gjithsej.
“U cilësua sikur do t’i hapte rrugë korrupsionit, por interesi shihet, bizneset janë në dijeni të marrëveshjes dhe çdo kriteri që ne kemi bërë publik”, u shpreh Petrit Malaj, ministër i Financave.
Ndonëse të cilësuara nga ekspertët si ligje që i hapnin rrugë evazionit fiskal, përveç paqes fiskale edhe interesi për faljen e detyrimeve tatimore e doganore ka qenë i lartë, teksa deri më tani sipas Ministrisë së Financave janë 416 mln euro detyrime e gjoba të bizneseve. Nga ana tjetër, ndalur tek treguesit fiskalë, raportohet një performancë e mirë e ekonomisë, ndikuar edhe nga procesi i rivlerësimit me 50 mln euro.
“Kjo në fakt tregon që ka një interes të lartë të qytetarëve dhe ecuria tregon se deri në përfundim të procesit, i cili do të jetë deri në 31 dhjetor 2026, të ardhurat do të jenë më të larta. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, rritja ekonomike deri në fund të vitit do të jetë 4%, ku sektorët me kontributin më të madh janë sektori i shërbimeve dhe sektori i investimeve, qofshin këto private apo publike. Parashikimi ynë është që deri në fund të vitit 2026 Prodhimi i Brendshëm Bruto të arrijë në nivelin e 29 miliardë eurove dhe deri në fund të mandatit pritshmëritë tona janë që Prodhimi i Brendshëm Bruto të shkojë në masën e 35 miliardë eurove. Për vitin 2026 ne parashikojmë që të ardhurat për frymë të shkojnë në masën 12.200 euro”, shton ministri.
Drejtori i Doganave, Besmir Beja, deklaroi në konferencë se në kuadër të ecurisë pozitive, doganat po kryejnë edhe përafrimin e plotë të procedurave në integrimin në BE.
“Jemi në rrugën e duhur për t’i përmbyllur kapitujt ku jemi brenda vitit 2027. Dogana shqiptare është në pararojë të proceseve integruese. Shqipëria do të jetë vend kufitar i BE-së dhe dogana shqiptare do të jetë dogana e gjithë Bashkimit Evropian”, deklaroi Besmir Beja, drejtor i Doganave.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave, ndikuar edhe nga tensionet gjeopolitike, në këtë 6-mujor inflacioni vendas arriti në 2.7%, por sipas Ministrisë së Financave nuk përjashtohet mundësia për rikthimin e Bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve.
Top Channel