Interi po punon intensivisht për të përforcuar repartin defensiv, ndërsa drejtuesit zikaltër synojnë t’i dhurojnë trajnerit Cristian Chivu dy qendërmbrojtës të nivelit të lartë për sezonin e ri.

Pas largimit të Francesco Acerbit, Stefan de Vrij dhe Matteo Darmian, drejtori sportiv Piero Ausilio kishte paralajmëruar se klubi do të sillte dy përforcime në mbrojtje. Tashmë, emrat më të përfolur janë John Stones dhe Cristian Romero.

John Stones, Interi në avantazh

Sipas mediave italiane, Interi ka përshpejtuar negociatat për John Stones, i cili është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Manchester Cityn.

Drejtuesit zikaltër, Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio, thuhet se janë pranë një marrëveshjeje me mbrojtësin anglez, pavarësisht konkurrencës së fortë nga Chelsea, Arsenali dhe së fundmi edhe Juventusi.

Për momentin, Interi konsiderohet skuadra favorite për të siguruar firmën e 31-vjeçarit.

Romero mbetet prioritet

Afrimi i Stones nuk do të përjashtonte transferimin e Cristian Romeros. Mbrojtësi argjentinas shihet si objektivi kryesor i Interit, ndërsa vetë lojtari raportohet se është gati të mbyllë aventurën e tij me Tottenhamin.

Megjithatë, negociatat për Romeron janë më të ndërlikuara. Tottenham kërkon rreth 40-45 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa mbrojtësi përfiton një pagë prej rreth 6.5 milionë eurosh në sezon, shifër që Interi nuk dëshiron ta arrijë.

Klubi italian po studion alternativa, si një kontratë më afatgjatë dhe një paketë bonusesh, për të bindur lojtarin dhe për të ulur kostot e operacionit.

Dy goditje për një mbrojtje elitare

Nëse Interi arrin të sigurojë si John Stones ashtu edhe Cristian Romeron, zikaltërit do të ndërtonin një nga repartet mbrojtëse më të forta jo vetëm në Serie A, por edhe në futbollin evropian, duke i dhënë Cristian Chivut një bazë solide për objektivat e sezonit të ri.

Top Channel