Kriza në futbollin italian nuk lidhet më vetëm me dështimin për të emëruar Andrea Pirlo si trajner të ri të Kombëtares.

Pas tërheqjes së ish-mesfushorit, situata brenda Federatës Italiane të Futbollit është tensionuar ndjeshëm dhe tashmë në pikëpyetje është edhe e ardhmja e drejtorit teknik Paolo Maldini dhe bashkëpunëtorit të tij, Leonardos.

Sipas mediave italiane, Maldini e konsideron polemikën mbi lidhjet e Pirlos me Rusinë vetëm si një pretekst për t’i kufizuar autonominë në vendimmarrje. Për këtë arsye, ish-kapiteni i Milanit po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit, ndërsa i njëjti fat mund të presë edhe Leonardon.

Ndërkohë, presidenti i Federatës, Giovanni Malagò, ka kërkuar kohë për të marrë një vendim për trajnerin e ri të Italisë. “Që nga kjo mëngjes kam marrë shumë mesazhe. Do të flas me të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur. Për të rikthyer besueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në nivelet më të larta duhet të punohet me brezin që sot është 13 deri në 16 vjeç. Duhet të ndryshojmë të gjithë sistemin e formimit dhe kulturës sportive. Kjo përfshin edhe zgjedhjen e trajnerit. Është një proces që kërkon kohë”, deklaroi Malagò.

Megjithatë, jashtë ambienteve të Federatës, ai la të kuptohet se po punon për një zgjidhje konkrete. “Po punoj dhe shumë shpejt do ta mësoni gjithçka”, u shpreh ai. Malagò nuk i kurseu as replikat ndaj ministrit të Sportit, Andrea Abodi, i cili kishte deklaruar se “duhet riparuar figura e keqe” e krijuar nga çështja Pirlo.

“Duhet parë më parë se kush e ka bërë figurën e keqe”, u përgjigj kreu i Federatës, përpara se të shtonte me tone të forta: “Bota e Andrea Abodit është një nga ato që nuk duhet të flasë për figura të këqija, sepse ka pasur plot të tilla.”

Situata në futbollin italian mbetet tepër e paqartë. Pas largimit të Pirlos nga gara për pankinën e Kombëtares, tashmë edhe Maldini e Leonardo mund të mbyllin aventurën e tyre në Federatë, ndërsa emri i trajnerit të ri vazhdon të mbetet një mister.

Top Channel