Interi ka siguruar një nga goditjet më të rëndësishme të merkatos së verës. Mbrojtësi anglez John Stones do të jetë lojtar i zikaltërve, ndërsa eksperti i merkatos Fabrizio Romano ka konfirmuar transferimin.

Sipas Romanos, palët kanë arritur marrëveshjen përfundimtare për kushtet e kontratës dhe gjithçka është mbyllur. Stones do të firmosë me Interin deri në qershor të vitit 2028, pa opsion për zgjatje edhe për një sezon tjetër.

Mbrojtësi 32-vjeçar do të përfitojë një pagë prej rreth 4 milionë euro neto në sezon, ndërsa pritet t’i nënshtrohet shumë shpejt vizitave mjekësore në Milano, përpara zyrtarizimit nga klubi.

Stones mbetet lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Manchester Cityn, ku kaloi një dekadë të suksesshme dhe fitoi gjithçka në futbollin anglez dhe evropian.

Gjatë aventurës së tij në “Etihad”, ai fitoi gjashtë tituj të Premier League, Ligën e Kampionëve, dy FA Cup, pesë Kupa të Ligës, tre Community Shield, si dhe Botërorin e Klubeve dhe Superkupën e UEFA-s.

Interi ka fituar garën për firmën e mbrojtësit anglez, duke lënë pas konkurrencën e Juventusit, Arsenalit, Chelseat, Bayern Munichut dhe Napolit, që gjithashtu kishin shfaqur interes për të.

Edhe pse vitet e fundit është përballur me disa dëmtime që i kanë kufizuar minutat në fushë, drejtuesit zikaltër besojnë se eksperienca dhe cilësitë e tij do të jenë një vlerë e shtuar për skuadrën e drejtuar nga Cristian Chivu.

Top Channel