Përshkallëzohen tensionet në Bregun Perëndimor, Netanyahu paralajmëron veprime më të gjera
Briken Calja vazhdon të jetë garancia e suksesit për AV03 Speyer.
Peshëngritësi shqiptar u shpall kampion i Bundesligës gjermane me klubin e tij, që fitoi finalen e madhe të zhvilluar në Hanover, duke siguruar titullin e tretë radhazi dhe të dhjetin në historinë e klubit.
Finalja u zhvillua në Swiss Life Hall, në kuadër të “Die Finals 2026”, ku për herë të parë peshëngritja ishte pjesë e festivalit më të madh multisportiv në Gjermani. AV03 Speyer grumbulloi 845.7 pikë relative, duke lënë pas Chemnitzer AC dhe AC Mutterstadt.

Suksesi i Caljas bëhet edhe më i veçantë nga fakti se ai huazohet nga AV03 Speyer vetëm për garat finale të Bundesligës, në një formulë të ngjashme me huazimet që shihen në futboll. Klubi gjerman e kërkon prej vitesh shqiptarin, pasi ai konsiderohet një nga peshëngritësit më vendimtarë në Europë dhe ka qenë një faktor kyç në titujt e fituar.
Calja ka ndërtuar një raport të veçantë me Speyer. Në sezonet e kaluara ai ka qenë ndër sportistët me kontributin më të madh në pikë, ndërsa këtë vit ishte sërish pjesë e skuadrës që realizoi “Titel-Hattrick”, duke mbrojtur me sukses kurorën e kampionit.
Për kampionin shqiptar, ky është një tjetër trofe prestigjioz në vitin 2026, pas suksesit në arenën europiane, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një prej peshëngritësve më të mirë të kontinentit. Fakti që një klub me traditë si AV03 Speyer vazhdon ta zgjedhë vit pas viti për sfidat më të rëndësishme është prova më e mirë e reputacionit që Briken Calja ka ndërtuar në Gjermani dhe në peshëngritjen europiane.
Top Channel