Në jugperëndim të Francës, në zonën pranë Bordosë, mbi 20 mijë persona janë evakuuar që prej së mërkurës, ndërsa flakët kanë përfshirë pyjet bregdetare me pisha. Zjarrfikësit, të mbështetur nga avionë që hedhin ujë, po luftojnë për të mbrojtur shtëpi e struktura turistike, ndërsa autoritetet thonë se zjarri është vënë pjesërisht nën kontroll, por mbetet ende aktiv në disa fronte.
Presidenti Macron njoftoi se Franca ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian, ndërsa Komisioni Evropian ka dërguar tre avionë zjarrfikës për të mbështetur operacionet. Vetëm në rajonin e Cotignac (Kotinjak), në juglindje të vendit, janë shkatërruar rreth 25 banesa.
Situata mbetet kritike edhe në Itali, ku dhjetëra vatra zjarri janë aktive në Siçili dhe Kalabri. Një zjarrfikës humbi jetën gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në Siçili, ndërsa autoritetet po hetojnë edhe raste të zjarrvënieve të qëllimshme.
Në Spanjë, qeveria shpalli gjendje emergjence në rajonin e Madridit, ku më shumë se 10 mijë persona janë evakuuar ditët e fundit. Vatrat më problematike ndodhen në Guadalajara dhe në perëndim të kryeqytetit, ku qindra zjarrfikës dhe efektivë të ushtrisë po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve.