Trump përdor asetet iraniane, SHBA sekuestron fondet, Irani sulmon bazat amerikane në Bahrein e Jordani

24/07/2026 12:12

Trump paralajmëron se asetet e ngrira të Iranit do të përdoren për të dëmshpërblyer anijet e goditura në Gjirin Persik. Ndërkohë, SHBA vijon sulmet për natën e 13-të radhazi, ndërsa Teherani kundërpërgjigjet duke pretenduar se ka goditur baza ushtarake amerikane në Bahrein dhe Jordani.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të përdorin asetet e ngrira iraniane për të kompensuar dëmet e shkaktuara ndaj anijeve dhe ngarkesave të goditura në Gjirin Persik. Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump tha se, deri në një njoftim tjetër, çdo dëm ndaj anijeve, mallrave apo infrastrukturës detare do të paguhet me fondet iraniane që ndodhen nën kontrollin e SHBA-së.

Ndërkohë, ushtria amerikane vijoi operacionet kundër Iranit për natën e 13-të radhazi. Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se sulmet nisën mbrëmjen e së enjtes dhe kishin në shënjestër objektiva ushtarake iraniane, me synim, sipas saj, të dobësojnë kapacitetet e Gardës Revolucionare dhe kërcënimin ndaj lundrimit tregtar në rajon.

Përgjigjja e Teheranit erdhi vetëm pak orë më vonë. Ushtria iraniane njoftoi se kreu sulme me dronë kamikazë ndaj bazës ajrore Isa në Bahrein, duke pretenduar se goditi depo karburanti, magazina pajisjesh ushtarake dhe kazerma të forcave amerikane. Një gazetar i AFP-së në Bahrein raportoi shpërthime dhe aktivizimin e sirenave të alarmit, por autoritetet nuk kanë konfirmuar ende shkakun.

Irani tha gjithashtu se sulmoi bazën Al-Azraq në Jordani, duke pretenduar se goditi hangarë avionësh, objekte mirëmbajtjeje dhe godina ushtarake. Deri tani, autoritetet jordaneze nuk kanë raportuar goditje në territorin e tyre.

Top Channel