Özgür Özel largohet nga CHP, themelon “Partinë e Re”/ 91 deputetë i bashkohen lëvizjes

24/07/2026 17:06

Udhëheqësi i opozitës turke, Özgür Özel, është larguar nga Partia Republikane Popullore (CHP), pasi ishte përjashtuar nga partia me vendim gjykate, dhe ka shpallur themelimin e një force të re politike me emrin “Yeni Parti” (“Partia e Re”).

Sipas burimeve pranë Özelit, 91 deputetë kanë braktisur CHP-në për t’iu bashkuar komitetit themelues të partisë së re, duke e bërë atë forcën më të madhe në Parlamentin e Turqisë.

“Özgür Özel dha dorëheqjen nga Partia Republikane Popullore (CHP) duke nënshkruar dokumentet themeluese të Partisë së Re”, citohet të ketë deklaruar një burim pranë tij.

Ky zhvillim përbën një goditje të rëndë për CHP-në, partinë historike socialdemokrate të themeluar nga Mustafa Kemal Atatürk, e cila tashmë mbetet me rreth 40 deputetë në parlament.

Özel, i cili mori drejtimin e CHP-së në nëntor të vitit 2023, u shkarkua nga posti me vendim gjykate në muajin maj dhe u zëvendësua nga ish-kryetari i partisë, Kemal Kılıçdaroğlu.

Duke komentuar zhvillimet, Özel akuzoi qeverinë se ka ndërmarrë një manovër politike për të dobësuar opozitën dhe për të lehtësuar fitoren e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për vitin 2028.

“AKP-ja e di se nuk mund të fitojë më zgjedhje demokratike. E di që populli turk nuk e dëshiron më këtë”, deklaroi Özel.

Themelimi i “Partisë së Re” pritet të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat politikë në Turqi, ndërsa vendi po hyn në një periudhë të re përplasjesh politike përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Top Channel