Modelet kineze të AI sfidojnë SHBA-në, rritet presioni mbi Trump

24/07/2026 12:12

Presidenti Donald Trump po përballet me presion në rritje për t’iu përgjigjur avancimit të inteligjencës artificiale kineze. Shtëpia e Bardhë akuzon kompanitë kineze për vjedhje teknologjike, ndërsa startup-et dhe gjigantët e teknologjisë paralajmërojnë se kufizimet mund të dëmtojnë konkurrencën amerikane.

Administrata Trump po shqyrton masa të reja ndaj modeleve kineze të inteligjencës artificiale, pas suksesit të modelit Kimi K3 të kompanisë Moonshot, i cili po fiton terren për shkak të kostos më të ulët krahasuar me modelet amerikane të OpenAI dhe Anthropic.

Shtëpia e Bardhë pretendon se Moonshot ka zhvilluar modelin e saj duke kopjuar në mënyrë të paligjshme aftësitë e modelit Claude të Anthropic, si dhe duke përdorur çipa të avancuar të Nvidia në kundërshtim me kufizimet amerikane të eksportit. Për këtë arsye, Departamenti amerikan i Tregtisë ka nisur një hetim ndaj disa kompanive kineze, ndërsa Sekretari i Thesarit ka paralajmëruar edhe sanksione të mundshme ndaj Kinës.

Nga ana tjetër, 179 startup-e amerikane i kanë kërkuar administratës Trump të mos ndalojë përdorimin e modeleve të hapura të zhvilluara jashtë SHBA-së. Sipas tyre, një ndalim i tillë do të favorizonte vetëm kompanitë e mëdha amerikane dhe do të rriste kostot për bizneset e vogla dhe zhvilluesit.

Edhe drejtori ekzekutiv i Nvidia është shprehur kundër kufizimeve, duke deklaruar se modelet kineze janë cilësore dhe duhet të jenë të përdorshme nga kompanitë amerikane. Gara globale për dominimin në inteligjencën artificiale është bërë një nga frontet kryesore të konkurrencës mes SHBA-së dhe Kinës.

Top Channel