Nga raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë te interpelanca me ministrin Karakaçi, çfarë pritet të diskutohet në seancën e sotme plenare

23/07/2026 08:30

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e sotme, në orën 10:00 në seancë plenare, ndërsa ende nuk dihet saktë nëse kjo do të jetë senaca e fundit ose jo. 

Në rendin e ditës janë parashikuar disa çështjesh, ku në fokus të punimeve do të jenë raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kryesore të drejtësisë gjatë vitit 2025.

Një nga pikat që pritet të diskutohet është shqyrtimi i projektrezolutës për veprimtarinë e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Dokumenti do të prezantohet nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Në seancë do të diskutohen gjithashtu raportet e Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Në rendin e ditës janë parashikuar edhe një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Blendi Himçi, Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu disa akte normative dhe projektligje, mes tyre ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për vitin 2026, aktin normativ për financimin e pjesshëm të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare, si dhe një sërë nismash ligjore që lidhen me ekonominë, integrimin europian, turizmin, Kodin Detar, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe pronësinë industriale. Në përfundim të seancës pritet të votohen edhe emërimet në Komisionin e Prokurimit Publik, ndërsa rendi i ditës do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Ndërkohë, jashtë ambienteve të Kuvendit është paralajmëruar një protestë, ndërsa policia ka rrethuar institucionin me gardh metalik.

Top Channel