Dinamo City zbret sonte në fushë me objektivin e qartë për të hedhur hapin e parë drejt raundit të tretë të Conference League.

Nën drejtimin e teknikut Ilir Daja, “Blutë” e kryeqytetit përballen në transfertë me sllovenët e Aluminij në stadiumin “Ljudski Vrt”, për takimin e parë të raundit të dytë kualifikues. Kjo përballje tejet e rëndësishme do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht sonte për të gjithë sportdashësit në platformën DigitAlb.

Për Dinamon kjo është pjesëmarrja e dytë në këtë fazë, ndërkohë që kundërshtarët e tyre provojnë për herë të parë emocionet e garave evropiane. Pas eliminimit të madh të kazakëve të Astanas në raundin e parë, kryeqytetasit vijnë me moral mjaft të lartë, teksa sfida e kthimit që do të vulosë kualifikimin është programuar më 30 korrik në “Elbasan Arena”. Ekipi që do të presë biletën për më tej, do të gjejë në raundin e tretë fituesin e çiftit mes FCSB dhe Auda.

Por spektakli evropian në ekranin e DigitAlb nuk ndalet këtu! Mbrëmja sjell emocione të shumta pasi në fushë zbresin edhe klubet e tjera shqiptare e rajonale. Egnatia vazhdon rrugëtimin e saj historik në kualifikueset e Champions League duke pritur sllovenët e Celjes në Rrogozhinë. Ndërkohë, në Conference League, Shkëndija e Tetovës mat forcat me Kairat Almaty, Drita e Gjilanit pret irlandezët e Shamrock Rovers dhe Ballkani përballet me Bohemians, në një mbrëmje që garanton emocione të forta dhe futboll elitar nga fillimi në fund.

Top Channel